Gruaja: Nuk e dija që më kishin bërë operacion, kur u ngrita…


Gruaja: Nuk e dija që më kishin bërë operacion, kur u ngrita…

14:48 30/01/2020

Emisioni “Historia ime” në TV Klan solli sot historinë çiftit Çekrezi, të cilët vendosën të marrin rrugën e emigracionit si shumë shqiptarë të tjerë drejt Francës. Ata u larguan me shpresën se në Francë do t’i priste një jetë më e mirë dhe një e ardhme më e sigurt.

Por ndodhi krejt e kundërta, pasi sapo ata shkelën në shtetit francez, një sërë ngjarjesh njëra pas tjetrës, do shkaktonin tek ata vuajtje dhe dhimbje të madhe.

Anila filloi të shfaqte probleme të shumta shëndetësore, pas heqjes së një dhëmballe. Mjekët nuk përcaktonin dot shkakun pse asaj i binte shumë shpesh të fikët dhe e shtruan në një spital në Marsejë.

Por Anila thotë se aty pa lejen e saj, i hoqën palcën kurrizore për të bërë disa analiza dhe që prej asaj dite, ajo nuk mund të ecë normalisht. Pavarësisht gjendjes së saj shëndetësore, shteti francez nuk pranoi kërkesën e tyre për azil dhe i kthen në Shqipëri.

Anila Çekrezi: Erdhën procedurat, vajti burri në Paris, ka qenë në Prill, i thanë ju duhet të firmosni dhe të ktheheni në Shqipëri. I tha burri si të kthehemi në Shqipëri kur burrin e kam në këtë gjendje?

Mirela Milori: Pra procedura e azilit nuk u pranua dhe ju duhet të ktheheshit në Shqipëri?

Anila Çekrezi: Jo!

Mirela Milori: Ndërkohë ti ishe e pamundur?

Anila Çekrezi: Po isha e pamundur. Më thanë mua nëse është e sëmurë do i japësh një dosje medikale në prefekturë. Pra Prefektura e Marsejës, nëqoftëse dikush ishte i sëmurë vinte një dosje medikale dhe qëndronte me këtë procedurë, për mjekim, për asnjë gjë tjetër, vetëm për spital.

Mirela Milori: Ti fillove ta ndiqje këtë rrugë, që të bëje dosjen tënde?

Anila Çekrezi: Po burri, se unë isha shumë e sëmurë nga koka që nga dita e dhëmballës, marrje mendsh, dhimbje e tmerrshme. Pija kokrra bëhesha për momentin mirë, por prapë isha e sëmurë. Pastaj na transferuan në Marsejë, tek një zyrë që i kthen shqiptarët. Na detyruan me kërcënim, që po s’dolët do marrim policinë t’ju fusim brenda. Dhe burri s’kishte ç’bënte, do firmoste. Kur na sollën këtej më binte prapë, 2-3 herë gjendje të fikëti në spital, më ngrihej tensioni.

Mirela Milori: Ku?

Anila Çekrezi: Në Marsejë. Ndoshta dhe stresi që kam vuajtur, s’ka qenë e lehtë. Ata më thoshin vetëm stresi, nuk më thoshin për nervin. Pastaj më shtruan në një klinikë.

Mirela Milori: Dëbimi po shtyhej se ti po merrje mjekim? Ty të çuan në një spital?

Anila Çekrezi: Klinikë shumë e mirë, çdo gjë e kishin falas, shumë faleminderit për aq sa na mbajtën.

Mirela Milori: Çfarë të këshilluan të bëje?

Anila Çekrezi: Vetëm bënin rezonanca, skanera, prapë s’më gjetën gjë, më nxorën prapë nga ai vend. Prapë gjendje të fikëti. Si përfundim ata e panë që isha sëmurë dhe thanë do i shtyjmë ca procedurat, se je  sëmurë dhe je me fëmijë të vogël. Më pas më çuan në Marsejë, në spital shtetëror. Atje nuk e di se çfarë më bënë, vetëm kur u ngrita në mëngjes më kanë thënë: Çohu. U ngrita dhe vetëm kur rashë. I thashë çfarë më keni bërë kështu? Më tha: Më fal Anila, por të kemi bërë një analizë në shtyllë kurrizore. Mos thashë.

Mirela Milori: Ishe e vetëdijshme kur ta kanë bërë këtë analizë?

Anila Çekrezi: Jo fare, as burri nuk e dinte, as nuk na kanë pyetur fare. Se unë kam dëgjuar se kur bënë këtë gjë duhet të japësh një firmë. Nuk e dija fare këtë gjë.

Mirela Milori: Pse e bënë këtë analizë?

Anila Çekrezi: Të kemi marrë tha se dyshonim mos ke meningjit në kokë, ose ndonjë sëmundje, sklerozë. Por çdo gjë ka dalë mirë tha. Mirë i thashë kur ka dalë mirë pse nuk e mbaj ekulibrin? Nuk më dhanë përgjigje.

Mirela Milori: Pra që nga momenti që t’u bë kjo ndërhyrje për analizë, ti vazhdon të kesh humbje ekulibri?

Anila Çekrezi: Po humbje ekulibri, dhimbje e tmerrshme në shtyllë kurrizore, mes dhe kokë. Nuk jam e aftë për punë, nuk laj dot fëmijët e mi, nuk jam e zonja për vete.

Mirela Milori: Nuk komandon dot gjymtyrët, këmbët kur ecën?

Anila Çekrezi: Po! Kam ndenjur 12 ditë në spital. Mora motër Anën përkthyese, ishte një murgeshë që përkthente gjithë zyrën e emigracionit, për gjithë shiptarët. O motër i thashë ma sqaro çfarë kanë bërë? O motër tha të kanë marrë palcën në shyllë kurrizore, nuk duhet ta kishin bërë, por s’kishin zgjidhje tjetër dhe ta bënë.

Mirela Milori: Si ta morën shtyllën kurrizore dhe ti s’ke ndjerë gjë?

Anila Çekrezi: Këtë s’e mbaj mend .

Mirela Milori: Tani vjen momenti i dëbimit?

Anila Çekrezi: Në 29 Mars ma kanë bërë analizën e shtyllës kurrizore, se dhe ata ndoshta nuk kishin faj se donin ta kuptonin se çfarë kisha, por fati im që mbeta në këtë gjë./tvklan.al






Të ngjashme