Hetimet për rrëmbimin, Policia e Shtetit: Jan Prenga u dërgua i vdekur në resort
Autoritetet policore po vazhdojnë kërkimet për gjetjen e trupit të 49-vjeçarit Jan Prenga, i cili u rrëmbye më 17 Janar në Kamëz.
Në një njoftim për mediat, Policia e Shtetit sqaron se 49-vjeçari është vrarë po atë ditë, dhe është dërguar në resortin Golden në Shijak pa shenja jete.
“Duam të theksojmë se Policia e Shtetit disponon prova të pakundërshtueshme se shtetasi J. P. ka ndërruar jetë më datë 17 Janar, pra ditën e rrëmbimit, dhe se në resort është dërguar pa shenja jete. Strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me prokurorinë, vijojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë krim, si dhe për gjetjen e trupit të shtetasit J. P.”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Nga hetimet e deritanishme, janë arrestuar 5 persona dhe 5 të tjerë janë shpallur në kërkim. Gjatë ditës së sotme, forcat speciale të policisë ushtruan kontrolle në Shkodër, por nuk mundën të arrestonin asnjë person. Njëkohësisht po vazhdojnë kërkimet për gjetjen e vendit ku është groposur 49-vjeçari.
Sipas policisë rrëmbimi i Jan Prengës ka ardhur si pasojë e një përplasje që një nga vëllezërit e viktimës ka pasur me organizatorët dhe rrëmbyesit, pas konflikteve kriminale në Britaninë e Madhe. /tvklan.al