Nisin përgatitjet e hekurudhës për transportimin e transformatorit nga Kina (25 Shkurt 1999)
Kalimi i transformatorit çmonton shinat. I parashikuar të nisej dje,është shtyrë transportimi i transformatorit të ardhur nga Kina i destinuar për në Hidrocentralin e Fierzës. Arsyeja është se përmasat e transformatorit dalin mbi disa ura mbi hekurudhë.
Kështu në hyrjen e stacionit hekurudhor në stacionin e Lezhës, një urë që kalon mbi shina nuk lejonte kalimin e vagonit special me transformatorin mbi të. Që dje punëtorët e Ndërmarrjes së Mirëmbajtjes së Hekurudhave kanë çmontuar shinat dhe kanë ulur 30 centimetra nivelin e zhavorrit mbi të cilat montohen trasetë.
Transformatori që i kalon 4 metra lartësi, është menduar që të transportohet me rrugë hekurudhore. Më pas rrugën për në Fier do t’a vazhojë me një kamion të ardhur posaçërisht nga Italia për të transportuar këtë transformator.
Specialistët e hekurudhës kishin frikë se mos tuneli në dalje të Lezhës nuk do të lejonte kalimin e trasnformatorit. Por pas matjeve të bëra sot, lartësia e tunelit ishte normale dhe lejonte hyrjen e objekteve deri në 6 metra lartësi.
Pas rregullimit të nivelit të shinave nën urë në Lezhë, drejtuesit e hekurudhave deklaruan se nesër nga Durrësi do të nisë transportimi i gjatë dhe i vështirë i transformatorit që mendohet të rritë prodhimin e energjisë elektrike./tvklan.al
Gazetar : Eduart Frangaj