Dy vrasjet në Tiranë – (28 Shkurt 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Vazhdojnë të mbeten mister autorët dhe shkaqet e dy krimeve më të rënda në mes të kryeqytetit. Vrasja dhe masakrimi i studentes Kozeta Hyseni brenda në “Qytetin Studenti”, si dhe atentati që solli 24 orë më parë vdekjen e juristit Kleanthi Koci, alarmuan në maksimum policinë kryeqytetase e cila ju fut punës investigative.
Por kanë kaluar 10 ditë nga vrasja e studentes dhe një javë nga atentati ndaj Kleanthi Koçit dhe autorët e tyre akoma nuk janë identifikuar dhe arrestuar. Në lidhje me vrasjen e 20-vjeçares nga Vlora Kozeta Hyseni, parapakditësh si prokurori i çështjes ashtu dhe zyrtarët e policisë u shprehën tepër optimist dhe shumë afër kapjes së autorit.
Vdekja e Kleanthi Koçit dje ka shtuar dhe më shumë misteret që mbuluan atentatin. Koçi ishte i vetmi që ka pare në fytyrë atentatorin dhe hetuesit shpresonin tek përmiresimi i shëndetit të tij në hetimet e mëtejshme. Por pas vdekjes hetimet mbeten perseri në pikën zero. Dy krime që morën jetë njerëzish mbetën akoma pa përgjigje dhe pa zbuluar autorët e tyre./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj