Shënohet viktima e dytë nga koronavirusi jashtë territorit të Kinës


Shënohet viktima e dytë nga koronavirusi jashtë territorit të Kinës

12:00 04/02/2020

Dy persona jashtë Kinës kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit. I dyti është raportuar sot në Hong Kong, një ditë pas rastit të ndodhur në Filipine. Sipas autoriteteve të Hong Kongut, viktima ishte prekur nga virusi i rrezikshëm kinez dhe gjendja e tij ishte përkeqësuar së tepërmi.

Nga koronavirusi kanë humbur jetën 420 persona deri më tani, të gjithë në Kinë, përveç dy rasteve, atij në Filipine dhe Hong Kong. Ndërsa mijëra persona të tjerë në të gjithë botën janë prekur nga ky virus.

Frika nga përhapja e koronavirusit, ka goditur edhe ekonominë globale. Shumë prej kompanive të mëdha amerikane, kanë mbyllur dyqanet e tyre në Kinë.

Ndërsa Macau, qendra më e madhe e lojërave të fatit në botë, njoftoi se do të mbyllë kazinonë për dy javë si një përpjekje për të ndaluar përhapjen e virusit.

Edhe kompania koreano-jugore e prodhimit të automjeteve, “Hyundai Motor”, bëri me dije se do të pezullojë prodhimin në fabrika. /tvklan.al






Të ngjashme