Gjyqtari Shaqir Hasani në ndjekje penale (25 Shkurt 1999)


Gjyqtari Shaqir Hasani në ndjekje penale (25 Shkurt 1999)

12:00 25/02/1999

Gjyqtari Shaqir Hasani të ndiqet penalisht. Pas vendimit të Hasanit i cili u dha pafajësinë dy të rinjve nga Berati që akuzoheshin si bashkëpunëtorë të Altin Dardhës, Prokurorët jo vetëm që bënë ankim në Apel por kanë kërkuar dhe ndjekje penale për gjyqtarin e Faktit.

Prokurorët Bedalli dhe Bregu duke akuzuar dy beratasit për krimet si vrasje dhe rrëmbime në bashkëpunim me të shumëpërfolurin Dardha, kërkuan nga 25 vjet burg për secilin. Por trupi gjykues i drejtuar nga Shaqir Hasani i dha lirinë dy të pandehurve të cilët pa humbur kohë, ditën e daljes nga burgu janë nisur për në Itali.

Mesa duket prokurorët nuk e kanë falur gjyqtarin Hasani për vendimin dhe kanë përkuar për të ndjekje penale. Me vendim të Gjykatës së Apelit gjyqtarit Shaqir Hasani i hiqet e drejta për të gjykuar çeshtjen e Ekrem Spahisë, liderit të legalitetit të akuzuar si pjesëmarrës në ngjarjet e 14 Shtatorit.

Sipas vendimit të Apelit gjyqtari Hasani ka lidhje të afërta me Spahinë dhe me partinë që ai drejton. Duke u nisur nga refuzimi i tij për të dhënë dorëheqje pas vendimit të prokurorëve, atij i duhet të largohet me vendimin përfundimtar të trupës gjykuese të Apelit./tvklan.al

Gazetar : Eduart Frangaj






Të ngjashme