Speciale, intervista për sportin dhe dhunën në futboll (7 Mars 1999)
Dhuna në stadiumet tona ka filluar të bëhet diçka e zakonshme. Pothuajse në të gjitha ndeshjet bie në sy një tendencë e tillë, si nga ana e futbollistëve, ashtu dhe nga ana e trajnerëve dhe të stafeve të tyre nëpër pankina. Rastet janë të gjitha të evidentuara si nga ana e organeve kompetente, Federata e po ashtu dhe nga shtypi e masmedia. A ka dhunë në stadiumet tona dhe kush janë shkaktarët e saj, përgjigje të cilën na e dhanë disa prej gazetarëve nga më të njohur të shtypit sportiv shqiptar.
Adriatik Dosti: Fatkeqësisht duhet të pranojme që ka. Madje është e formave nga më të ndryshme, duke nisur që përpara ndeshjeve, gjatë ndeshjeve brenda fushave të futbollit, dhe më keq akoma në shkallët ku rrinë shikuesit, pra në tribunat e stadiumeve tona. Shkaqet dhe shkaktarët janë të shumtë dhe të llojeve të ndryshme. Unë do thosha që është e thjeshtë të flasësh për të frenuar dhunën, por është shumë e vështirë për t’a parandaluar dhunën pasi do thoja në një koncept më të gjërë përfshihet gjithë situata që kalon Shqipëria në të gjitha fushat, në të gjitha sektorët ku dhe sporti në mënyrë të veçantë futbolli, si sporti më popullor, nuk mund të bëjë dot përjashtim. Por arsyet kryesore që unë do të ndalesha për të thënë përse ka dhunë në stadiumet tona mendoj që nisin që nga zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit, nisin nga komisionet përkatëse për të parandaluar dhunën apo për të dënuar shkaktarët kryesorë që gjenerojnë dhunë në stadiumet tona, për të ardhur tek gjyqtarët e futbollit, të cilët edhe pse në një farë mase duhen shfajësuar pasi në shumë raste janë të pambrojtur dhe nuk kanë të sigurtë jetën e tyre. Do të thoja që shpesh me vendimet e tyre në fushën e lojës bëhen promotore të gjenerimit të dhunës. Për të vazhduar më pas me një farë mungese civilizimi, mungese qytetarie dhe mungese emancipimi që ekziston tek klubet tona të futbollit duke nisur nga drejtuesit e klubeve, nga trajnerët, nga presidentët e klubeve, për të ardhur tek lojtarët, deri tek tifozët e thjeshtë, të cilët ende nuk e kanë kuptuar që futbolli ka tre rezultate në çdo fushë brenda apo jashtë, barazimin, fitoren
dhe humbjen.
Fatmir Mneri: Natyrisht që duhet pranuar që dhunë ka. Sa i takon shkaktarëve ata janë shumëplanësh, duke filluar nga situata në vend, nga gjendja sociale, pastaj për të zbritur dhe në vetë harkun e një stadiumi, të një ndeshje ku ndërthuren mjaft faktorë, siç janë futbollistët në fushë, gjyqtarët, tifozëritë, pankinat, vëzhguesit, pra janë një sërë elementësh që përcaktojnë ecurinë e një ndeshje futbolli. Është tepër e vështirë që të përcaktosh masat për të eliminuar dhunën. Kudo në botë dhuna parandalohet, merren masa deri dhe drastike për të arritur që futbolli të japë mesazhin e tij të feirpleit. Gjithsesi dhe me problemet që ka patur në vendin tonë dhe ky kampionat në veçanti unë do të thoja që qëndrimet që janë mbajtur, masat që janë marrë, flasin për shenja pozitive dhe të bëjnë të jesh optimist për të ardhmen.
Tritan Kokona: Dhuna ndryshe nga vendet e tjera nuk shfaqet jashtë stadiumit, pra tek tifozëria që është problemi më i madh i vendeve perëndimore por edhe i vendeve të tjera. Dhuna në stadiumet shqiptare shfaqet arrogante në fushën e lojës, midis lojtarëve. Përveç kësaj kemi dhe dhunën e shfaqur në dhomat e zhveshjes, çka krijon një precedent të jashtëzakonshëm në futbollin shqiptar. Shkaqet janë të shumta, unë nuk do të përmendja këto faktorët sociale dhe faktorët e tjerë, por do të përmend formimin e futbollistëve, atë që quhet edukim profesional, nuk bëhet fjalë
më për edukim moral e politik, siç ka qënë dikur, por edukimi profesional që i bëhet nga trajnerët nuk është në shkallën e duhur dhe fitorja shndërrohet shpeshherë në një stres ose në një luftë të hapur e cila të detyron që të fitosh me çdo kusht duke përdorur edhe forma të pandershme, duke qëlluar me grushta e të tjera. Ky mendoj se është problemi. Skuadrat shqiptare nuk kanë mentalitetin normal të të fituarit me këmbë por në futboll kërkojnë të fitojnë me duar, me grushta, çka prish imazhin e kësaj loje kaq të bukur.
Defrim Metasani: Përderisa Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit po merr masa thuajse çdo javë për ekipe apo lojtarë të veçantë, kjo do të thotë që ka dhunë në stadiumet shqiptare. Mendoj që arsyeja, faktori social është arsyeja kryesore që ndodh kjo, sepse thuajse është një uniform, kushtet sociale bëjnë atë që të ketë dhe dhunë në stadiumet e futbollit. Natyrisht nuk është ndonjë gjë e jashtëzakonshme sepse dhunë ka edhe në stadiumet e tjera ndoshta të vendeve më të
zhvilluara, siç ndodh edhe në Itali, por e rëndësishme është që të parandalohet kjo dhunë. Dhe më vjen mirë që Federata shpesh ulet këmbëkryq dhe merr masa të rrepta, siç kanë qënë disa raste për skuadra
apo individë të veçantë, sepse vetëm kështu mund të ndalohet. Ndryshe po i lamë terren, po i lamë, po i krijuam kushte dhunës ajo do të fryhet dhe do të rëndohet më shumë futbolli e ndoshta do të rrezikojmë më tepër kampionatin.
Petraq Shtrepi: Unë mendoj se ka dhunë në stadiumet shqiptare, kuptohet jo në të gjitha dhe shkaqet janë disa. Shkaku i parë është shkaku që lind në fushë, futbollisti me futbollist, pozitat e vështira të ekipeve, formimi jo i mirë i disa futbollistëve, qëndrimi jo korrekt i disa trajnerëve, nxisin dhunën midis futbollistëve. Dhe ka raste që kjo merr përmasa brenda stadiumit, brenda fushës doja të thoja, dhe përhapet nëpër tribuna. Ndërsa kohët e fundit në disa rrethe ka pasur shqetësime dhe nga tribunat. Nëqoftëse ju kujtohet herën e fundit në Ballsh, nuk e di dhe vetë s’e
kuptoj çfarë kërkonin sportdashësit që qëllonin me gurë. Pra kjo bëhet një precedencë tjetër domethënë tribunat për krijimin e dhunës. Por për mendimin tim ajo që duhet të shqetësojë më shumë është eliminimi i tyre. Në radhë të parë janë masat administrative që duhet marrë. Nëqoftëse do të zbatohen rregulloret, nëqoftëse do të merren masa ekstreme brenda rregulloreve, atëherë këta futbollistë që zihen në fushë nuk do të guxojnë, ndërsa këta sportdashës që janë nëpër shkallë, edhe këta nuk do të guxojnë sepse do t’u dënohet fusha.
Bashkim Tufa: Ç’është e vërteta në një farë mase ka dhunë dhe dhuna është e pranishme në të gjitha ndeshjet e kampionatit 60. Shkaqet janë disa dhe ndoshta nuk mund të thuhen brenda këtyre sekuencave por gjithsesi arsyet janë, siç e përsërita janë disa. Arsye janë gjykimet e dobëta shpeshhere, por mbi të gjitha unë do të thoja që gjendja në tabelën e renditjes, presioni që ushtrohet ndaj futbollistëve nga ana e trajnerëve dhe sponsorave ose më mirë të them presidentëve, ndikojnë mjaft në acarimin e gjendjes në fushën e lojës që pasqyrohet, pastaj, reflektohet nëpërmjet dhunës. Tjetër unë do të thoja që ka një rast shumë unikal që unë do të krijoja një paralele ndërmjet kësaj që shohim në fushat tona dhe asaj që ndodh jashtë. Ka një rast shumë unikal nëpërmjet Arsenalit. Në një ndeshje të kampionatit Anglez njëra nga ndeshjet, edhe pse fitoi Arsenali 2-1 u
përsërit me kërkesën e vetë trajnerit të Arsenalit. Dhe kjo ndeshje edhe pse kishte përfunduar me një rezultat teknik të rregullt 2-1 me kërkesën e vetë Arsenalit, pra një ferplei i shkëlqyer një shembull, anglezët janë veçanërisht përherë japin shembuj të korrektësisë dhe tregojnë që me tamam ata janë shpikësit e futbollit ndeshja përsëritet. Ndërkohë ne shohim në fushat tona që shpeshherë trajnerët me qëndrimet e tyre, nxisin futbollistët për të manifestuar dhunë. Është e pafalshme që trajnerët kthehen në bashkëbisedues me tifozët duke replikuar me ta. Unë nuk dua të them me këtë që tifozët duhet të jenë më të kujdesshëm në shprehjet e tyre në marrëdhëniet me trajnerët por gjithsesi është e patolerueshme që trajnerë të ndryshëm, faktet janë disa dhe trajnerët tek ne ndoshta Federata nuk merr masa, trajnerët kthehen shpesh në nxitësa të dhunës që shfaqet në stadiumet tona dhe unë do të thoja që tani kampionati jonë është tmerrsisht në rrezik. Dhe unë do t’i bëja një apel të gjithëve: të ndalim dhunën. Le të jetë futbolli një mesazh paqeje dhe miqësie për të gjithë shqiptarët./tvklan.al
Gazetar : Teodor Keko