Majko për drejtesinë – (9 Mars 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Masakra e Beratit përveç dhimbjes e tmerrit ringjalli polemikat dhe akuzat kundrejt drejtësisë shqiptare. Dje në Shijak, kryeministri Majko ka ngritur gishtin tregues ndaj sistemit gjyqësor shqiptar dhe korrupsionit që sipas tij lulëzon në të. Duke ju referuar ngjarjes së Beratit, kryeministri vuri në dukje se vetëm një javë më parë drejtësia ka liruar dy beratas të akuzuar për vrasje. Shaqir Hasanaj, gjyqtari i çështjes në fjalë është i bindur në vendimin që ka dhënë.
Gjyqtari Shaqir Hasanaj:- “Përsa i perket konceptit që ka liruar dy kriminelë, Gjykata nuk i ka çmuar si të tillë. Ata mund të jenë por me provat e paraqitura në gjykatë për mendimin tim dhe jam i bindur i qëndroj deri në vdekje kësaj pune. Unë i shikoj këto veprime si presione që bëhen ndaj drejtësisë. Duhet ta dini ju, duhet ta dijë zoti Majko, duhet ta dinë të gjithë, vërtet çështja do shkohet në Apel, por po gjykohet nën një presion. Presion i vazhdueshëm. Ne japim pafajësi, nuk jep Prokuroria. Prokuroria të sigurojë provat”.
Në të njëjtën kohë Agim Tirana, numuri dy i Prokurorisë Shqiptare, deklarohet i bindur për fajësinë e personave të akuzuar duke e quajtur vendimin e gjykatës të paligjshëm. Ndërkohë që pranon akuzat për korrupsion në sistemin e drejtësisë përfshirë dhe Prokurorinë, Agim Tirana flet për masa efektive, çështje penale të hapura për vetë prokurorët, si edhe reformë në proces kundër sëmundjes së pashërueshme me emrin korrupsion./tvklan.al