Krerët e UÇK mbledhje në Tiranë (21 Mars 1999)


Krerët e UÇK mbledhje në Tiranë (21 Mars 1999)

13:32 21/03/1999

Sot krerët e UÇK-së, anëtarët e delegacionit shqiptar të Rambujesë e kanë kaluar paraditen në Hotel Rogner të Tiranës. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe përfaqësuesit e delegacionit Rame Buja, Jakup Krasniqi, Xhavit Haliti janë takuar sot me Sabit Brokaj, këshilltar i Presidentit Mejdani për Sigurimin Kombëtar, me Shefin e SHIK-ut Fatos Klosi si dhe me Këshilltarin e Ministrit të Rendit Sokol Bare.

Bisedat u zhvilluan në ambjentet e Hotel Rognerit pa lejuar pjesëmarrjen e gazetarëve. Nga Kryeministri Thaçi nëpërmjet zëdhënësit të tij erdhi e vetmja deklaratë për Qeverinë e Kosovës e cila do të shpallet në Kosovë. Ipyetur se kur do të shpallet qeveria kosovare Rame Buja u shpreh:

” Vështirësitë na dolën të një natyre të paparashikuar, përndryshe ne mendonim që kjo javë brenda kësaj jave ta shpallnim Qeverinë e Kosovës. Por tani nuk di çfarë të them po mund të vonohet paksa por jo shumë me siguri. Ne besojmë në bazë të atyre që pamë, në bazë të bisedave që bëmë edhe në NATO se intervenimi do të jetë i shpejtë në Kosovë dhe kjo do të jetë shpëtimi përndryshe nëse nuk bëhet intervenimi i shpejtë i Forcave të NATO-s e veçanërisht atyre tokësore atëherë në Kosovë do të ndodhë tragjedia.”

Krerët e UÇK-së kanë lënë Hotel Rognerin të shoqëruar nga përfaqësues të lartë të Shtetit dhe Qeverisë Shqiptare. Ndërsa në Prishtinë, Rugova i sapombërritur nga Maqedonia ka deklaruar, gjendja në Kosovë është e tmerrshme dhe kërkohet ndërhyrja e menjëhershme e Bashkësisë Ndërkombëtare dhe e NATO-s./tvklan.al

Gazetare : Mirela Milori






Të ngjashme