Ilir Meta për Kosovën (Speciale) – (24 Mars 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Ilir Meta:- “Siç është bërë e qartë nga komunikimi intensive i qeverisë dhe i përfaqësuesve të saj me median. Qeveria shqiptare është në gadishmëri të plotë, që do të thotë funksionim i institucioneve në mënyrën më të përgjegjshme dhe pa ndërprerje dhe së dyti padyshim edhe shumë masa suplementare që kanë të bëjnë me para përgatitjen për çdo situatë të mundshme në të cilën mund të ndodhemi për shkak të situatës së ndërlikuar tashmë në rajon. Mendoj se është bërë një punë e përgjegjshme veçanërisht nga ato të Mbrojtjes, të Rendit Publik, të Ministrisë së Pushtetit Lokal, por përveç kësaj edhe gjithë institucionet e tjera kanë funksionuar normalisht”.
Gazetarja:- Ndërkohë çfarë masash do të merren ditën që ka ardhur tashmë?
Ilir Meta:- “Tashmë të tëra përgatitjet janë bërë dhe masat do të përshkallëzohen në përshtatje me zhvillimin e situatave. Ajo që unë dua të them është që nuk ka nevoj për panik, por padyshim është e nevojshme një gadishmëri mjaft e lartë e të gjithë institucioneve”.
Gazetarja:- Mendoni se realisht do të kenë frikë shqiptarët nga lufta?
Ilir Meta:- “Mendoj se askush nuk e dëshiron luftën dhe sigurisht që ne nuk jemi të lumtur për pamjen që shikojmë sot nëpër ekrane, por padyshim që jemi shumë më të dëshpëruar kur shikojmë mijra shqiptarë të pa mbrojtur të cilët janë masakruar nga ushtria e policia serbe”.
Gazetarja:- Nëse kemi agravim të situatës, a është e aftë ushtria shqiptare të përballoj sulmin serb?
Ilir Meta:- “Së pari unë dua të them se ushtria shqiptare është një element shumë i rëndësishëm që ka të bëjë me mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit të vendit, por nuk është i vetmi. Mendoj se një rast të tillë të gjithë shqiptarët kudo që janë do reagonin në mënyrën më patriotike dhe veçanërish banorët pranë zonave kufitare, ku gadishmëria është shumë e lartë”.
Gazetarja:- A do të vendoset gjendja e jashtëzakonshme në territorin e republikës së Shqipërisë?
Ilir Meta:- “Siç e thashë më parë nuk ka vend për panik, por qeveria dhe parlamenti janë në gadishmëri të plotë dhe do të marrin çdo masë në përshtatje me zhvillimin e ardhshëm të situatave”./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego