Kandidatët për Drejtorin e RTSH -së (23 Mars 1999)
Do të duhet edhe tre ditë për të njohur drejtorin e ri të përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar. Sot rreth orës 13:00 është mbledhur Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Shqiptar për të shqyrtuar dosjet e secilit prej kandidatëve për vendin e Drejtorit të Përgjithshëm.
Ata janë Frrok Çupi, Gëzim Kame, Gëzim Podgorica, Mevlan Shanaj, Petrit Ymeri si dhe Drejtori i Përgjithshëm aktual Ardian Klosi dhe Drejtori i Televizionit Eduart Mazi. Dy figura këto mjaft të përfolura për kontradikat mes tyre dhe përçarjen klanore që kanë sjellë në Televizionin Shtetëror.
12 anëtarët e këshillit shqyrtues do të shikojnë dosjet e kandidatëve që sipas statutit kanë rezultuar të plota. Nesër do të zhvillohet votimi i parë eliminator nga ku do të dalin dy ose tre kandidatë finalistë të cilët do të garojnë për vendin e Drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar Shtetëror. Megjithatë si rrallëherë në Shqipëri, zërat e koridoreve nuk kanë lënë vend për hipoteza të mundshme./tvklan.al
Gazetare : Eni Vasili