Avokati Përparim Sanxhaku – (26 Mars 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Gazetarja:- Sot keni fituar në Gjykatën e Lartë gjyqin për të mbrojtur çështjen Nano. Gjykata e rrethit vendosi që ju të mos ishit avokati mbrojtës i çështjes Nano, pasi ishit edhe anëtar i KLD-së. Me çfarë argumenti keni fituar sot këtë gjyq?
Përparim Sanxhaku, avokati i Fatos Nanos:- “Gjykata e rrethit në bazë të ligjit 8428 të vitit të kaluar vendosi të ndërpresë shqyrtimin e çështjes së Fatos Nanos, me arsyetimin se unë duke qenë anëtar i KLD, kisha pengesë ligjore për të vazhduar si avokatë në Gjykatën e Apelit. E kundërshtova këtë në gjykatë, pasi marrëdhëniet tona si klient dhe avokat fillojnë që në vitin 1993. Gjykata e Lartë argumentoi se meqënëse ishte një marrëveshje e lidhur kohë më parë dhe në përputhje me një ligj të kohës athereshme nuk mund të kufizonte të drejtën e klientit tim dhe timen për të ushtruar veprimtarinë e avokatit edhe në shkallën e parë. Pra Gjykata e Lartë urdhëroi Gjykatën e rrethit që të vazhdoj shqyrtimin e çështjes me të njëjtin avokat”.
Gazetarja:- Në kohën kur Gjykata e Rrethit vendosi që jut ë mos ishit më avokati mbrojtës i Nanos, ju keni deklaruar se do të ishit gati të linit postin e KLD dhe të ishit avokat mbrojtës. Kjo pse, interesa personale, lidhje reciproke, politike, apo çfarë?
Përparim Sanxhaku, avokati i Fatos Nanos:- “Është mëse e vërtetë se unë kam deklaruar se nëse nuk do më jepej e drejta të përfundoja çështjen, duke qenë në të njëjtën kohë edhe anëtar i KLD-së dhe avokat, do të lija detyrën e anëtarit të KLD-së. Kjo për faktin se mua më lidhin shumë gjera dhe një kohë shumë e gjatë me çështjen Nano dhe gjithë sadisfaksioni i punës time ndihet si avokat dhe nuk ndihet as si anëtar i KLD as në një funksion tjetër”./tvklan.al
Gazetare – Eni Vasili