Vrasjet në Kosovë , reagojnë demokratët (29 Mars 1999)


Vrasjet në Kosovë , reagojnë demokratët (29 Mars 1999)

08:55 29/03/1999

Pasditja mbledh sërish demokratët përpara gazetarëve për të saktësuar se janë vrarë intelektualët Femi Agani, Teki Dervishi, Hil Mehmeti, Xhemal Mustafa. Njëkohësisht kanë raportuar atë çka opozita po bën për kapërcimin e kësaj gjendje. Sipas burimeve të tyre 1500 familje gjirokastrite janë në gjendje të presin refugjatët kosovarë. Ndërsa qyteti i Fierit pret 10 mijë të tjerë.

Opozita vazhdon të ketë kontakte e telefonata me vendet fqinje dhe me Senatin Amerikan. Lajmi dhe ndihma më e fundit është marrë nga telefonata e Jozefina Topallit me Ministren e Brendshme Italiane Jergolino, ku Qeveria Italiane do të hape një urë ajrore për kalimin e 20 mijë kosovarëve dhe trajtimi i tyre do bëhet në Itali. Italia do sjellë në Shqipëri 20 mijë shtretër dhe ndihma në ilaçe.

Grupi i deputetëve të nisur një ditë më parë në Kukës kanë treguar ato çka kanë parë atje. Ridvan Bode e quan një situatë të rënduar ku mbrëmjen e djeshme numri i të ardhurve arrin shifrën 100 mijë. Autoritetet lokale nuk kishin kapacitet për të administruar. Në fillim sipas Bodes duhen marrë masa ushqimore për të sapoardhurit dhe më pas transportimi i tyre.

Ylli Vejsiu mendon të nisen sa më shumë grupe politikanësh dhe deputetësh në veri pasi prania e tyre tregon dhe unitet. Sipas tij opozita jo vetëm kritikon por ajo edhe rekomandon për të mirë./tvklan.al

Gazetare : Holta Zhiti






Të ngjashme