Vidhen ilaçet , ndihma për refugjatët kosovarë (Prill 1999)
Zhduken medikamentet, ndihma për kosovarët. Zyra e Antikrimit Ekonomik ka zbuluar mashtrimin më të madh që kohët e fundit u është bërë institucioneve shëndetësore. Në ditën e parë të këtij muaji dy persona të paidentifikuar akoma janë paraqitur në Ndërmarrjen e Fufarmës Tiranë ku me një autorizim të falsifikuar lëshuar në emër të Drejtorit të Spitalit të Kukësit kanë tërhequr një sasi medikamentesh me vlerë tetë milion e gjysëm lekë.
Sasia e medikamentëve ishte planifikuar për përdorim vetëm nga refugjatët kosovarë. Sapo punonjësit e Fufarmës kanë kontaktuar me drejtuesit e spitalit të Kukësit kanë kuptuar se mallin që ata kanë dorëzuar mjekëve të rremë nuk ka përfunduar në destinacionin e duhur. Ndërkohë që ilaçet zhduken gjendja bëhet akoma më alarmante kur mësojmë se rastet e para të epidemive ngjitëse tashmë kanë prekur refugjatët kosovarë. Rastet e shfrytëzimit mbi fatkeqësitë e refugjatëve nga njerëz të papërgjegjshëm tashmë po zgjerohen dhe në ndihma që sigurojnë shëndetin dhe jetën e tyre./tvklan.al
Gazetar : Eduart Frangaj