Namik Dokle, Sabri Godo, Tritan Shehu për Kosovën – (9 Prill 1999)


Namik Dokle, Sabri Godo, Tritan Shehu për Kosovën – (9 Prill 1999)

12:16 09/04/1999

Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Intervista me politikanët Namik Dokle, Sabri Godo dhe Tritan Shehu për situatën në Kosovë.

Namik Dokle:- “Një element tragjik në këtë situatë është fakti i fatit të mijëra kosovarëve të cilët gjendeshin deri para pak kohësh në të ashtuquajturën tokë të askujt. Pra në kufirin midis Maqedonisë dhe Kosovës. Dhe tani ata janë dërguar në vendë të panjohura që s’dihet se ku janë në brendësi të Kosovës, në Prizren apo në Suharekë apo edhe në Prishtinë. Ata në përgjithësi janë marrë për t’u përdorur si mbrojtje kundër bombardimeve të NATO-s. Pra për t’u përdorur si mish për top në mënyrë që të mbrohet struktura ushtarake e Millosheviçit. Besoj se ju kujtohet juve që kur filluan sulmet e para te NATO-s, bombardimet e para të NATO-s në Bosnje, Millosheviçi lidhi në shtyllat e telefonit disa nga pengjet që kishte kap. Këtë gjë do ta bëjë tani me mijëra shqiptarë. Unë mendoj që vetëm kërkesa e palës që ka bërë Ministri i Jashtëm i Maqedonisë në takimin me autoritetet zyrtare shqiptare nuk është e mjaftueshme. Ne do të shikojmë çfarë hapash konkrete do ndërmarrë Qeveria Maqedone dhe autoritetet e larta maqedonase. Nëqoftëse ata do të ndjekin platformën e pastrimit etnik në Kosovë apo në trojet e tjera të banuara nga shqiptarët, kuptohet që do të ketë nevojë per t’ju dhënë një përgjigje tjetër”.

Sabri Godo:- “Qeveria Maqedonase duhet të rishikojë mendoj me themel qëndrimin e saj, duke ditur se ai shtet ekziston vetëm në sajë të bashkëpunimit me shqiptarët”.

Tritan Shehu:- “Qeveria Shqiptare dhe Parlamenti Shqiptar të kërkojë një prononcim të Këshillit të Europës për këtë çështje dhe të kërkojë që Këshilli i Europës dhe organizmat e tjera OSBE dhe Këshilli i Sigurimit të bëjnë presionet përkatëse pranë Shtetit Maqedonas për zbardhjen e së vërtetës, për zbulimin ku janë ata shqiptarë, si janë trajtuar ata shqiptarë dhe për marrjen e sanksioneve të detyrueshme pastaj në përputhje me të gjitha kartat ndërkombëtare ku shkelen të drejtat e njeriut dhe veçanërisht të drejtat e refugjatëve që janë të shenjta në çdo vend demokratik./tvklan.al






Të ngjashme