PD: Inaugurimi i sallave kirurgjikale, propagandë


PD: Inaugurimi i sallave kirurgjikale, propagandë

11:29 19/02/2020

“Ulet numri i sallave, nuk ka mjekë reanimatorë”

Inaugurimin e disa ditëve më parë të sallave të reja kirugjikale, Partia Demokratike e quan thjeshtë propagandë. Në një deklaratë nga QSUT-ja këtë të mërkurë, ish-deputetja Oriola Pampuri deklaroi se nga 11 salla kirurgjikale që ishin kanë mbetur gjithsej 7 të tilla.

“Numri i sallave të shërbimit dhe numri i shtretërve për pacientët është zvogëluar.  Këtë të vërtetë kryeministri dhe Ministrja e Shëndetësisë duan ta fshehin pas propagandës me fasadën.  Më parë ishin gjithsej 11 salla kirurgjikale me 130 shtretër. Tani, megjithëse janë shpenzuar miliona euro, këto janë reduktuar në 7 salla dhe 90 shtretër. Eliminimi i 4 sallave për operacionet ka sjellë kaos në QSUT, ka sjellë mbipopullim pacientësh duke ulur cilësinë e shërbimit. Nga ana tjetër, kushtet e mjekëve janë vështirësuar, duke mos patur mjedise të përshtatshme pune”, tha Pampuri.

Sipas Pampurit eliminimi i sallava bëhet pasi nuk ka para për operacionet, nuk ka para për të paguar mjekët dhe nuk ka mjekë reanimatorë.

“Reduktimi i sallave të kirurgjisë në QSUT ka sjellë edhe mbylljen e sallave të urgjencës. E vërteta është se ato u mbyllën, jo për shkak të përqendrimit në një godinë të vetme, por për shkak të korrupsionit. Sepse nuk ka para për operacionet, nuk ka para për të paguar mjekët dhe nuk ka mjekë reanimatorë. Qeveria nuk ka prioritet pacientët për t’u krijuar kushte sa më të mira, pasi paguan 35 milionë euro në vit për disa koncesione korruptive dhe të dështuara në shëndetësi”, tha Pampuri./tvklan.al






Të ngjashme