Meta: Më 2 Mars, dekret kundër grushtit të shtetit


Meta: Më 2 Mars, dekret kundër grushtit të shtetit

15:32 19/02/2020

“Rama, ideatori dhe frymëzuesi i grushtit të shtetit”

Ditën e 576-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës, më 2 Mars, Presidenti Meta paralajmëron se do të zbresë në buvelardin “Dëshmorët e Kombit” bashkë me popullin, për të firmosur një dekret, që ai thotë se do të çmontojë grushtin e shtetit që po i bën mazhoranca Kushtetutës dhe institucionit të Presidentit.

Në 2 Mars ju presim të gjithëve pasdite në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, falë popullit shumë shpejt, nuk do të ketë vetëm një institucion që është Presidenti në mbrojtje të Kushtetutës, por të gjithë këta institucionet që janë në bulevard do i kthehen popullit”.

Nuk dihet për ç’dekret bëhet fjale, por kreu i shtetit e përmendi atë si përgjigje ndaj interesit të Tv Klan, nëse do të shpërndante Parlamentin me dekret presidencial, teksa për legjislativin përmendi termin “gjysmë-parlament”.

Nëse kjo godinë, ky institucion është sot një kështjellë e vetme, për fat të keq, por e pamposhtur e mbrojtjes së demokracisë, nga data 2 Mars kur do të firmoset dekreti i parë kundër grushtit të shtetit, përpara popullit në bulevard, ku do të lidhim një besëlidhje për të shpartalluar regjimin e oligarkëve, me qëllim shpopullimin e këtij vendi, duke e kthyer në një bazë operacionale të krimit të organizuar, por edhe shumë problemeve të tjera”.

Kryeministri Rama, i pyetur një ditë më parë për deklaratat e Presidentit se ai ka popullin me vete, ironizoi duke thënë se bëhet fjalë për popullin e WhatssApp-it. Presidenti ka këtë kundërpërgjigje.

Presidenti Meta: Ata që kërkojnë popullin e Presidentit në WhatsApp të përgatisin poturet e gjëra”.

Presidenti e akuzoi Kryeministrin se është ideatori dhe frymëzuesi i grushtit të shtetit, teksa bëri publike disa dokumente në lidhje me ndryshimin e ligjit për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ku shmanget Presidenti.  

Por më e rëndë, sipas kreut të shtetit, është fakti se në Fletoren Zyrtare vendimi për emërimin e Arta Vorpsit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese është bërë pa një akt zyrtar, ose të paktën deri tani ky akt nuk gjendet dhe nuk i është vendosur në dispozicion as Komisionit të Venecias.

Kjo ishte konferenca e dytë brenda 48 orëve e Presidentit dhe ai paralajmëroi se ato do të jenë të përditshme deri më 2 Mars.

Tv Klan






Të ngjashme