Çadrat e reja në kampin e Stadiumit Dinamo (20 Prill 1999)


Çadrat e reja në kampin e Stadiumit Dinamo (20 Prill 1999)

11:59 20/04/1999

Më tepër se me plastmasë të ardhurit do të jenë të mbrojtur tashmë edhe nga çadrat. Brenda Aneksit të Stadiumit Dinamo ku janë strehuar qindra kosovarë janë montuar çadra pasi shiu i ditëve të fundit depërtonte brenda. Tashmë të gjithë janë mësuar me kushtet. Dinë se çfarë kanë dhe dinë se çfarë u mungojnë. Fëmijët janë më pa halle por që kanë edhe më shumë kërkesa ndaj prindërve të vuajtur. Gjyshet tregojnë për trojet e pasuritë që kanë lënë, nipërit vihen në radhë për të blerë akullore. Një bamirës dje i ka dhuruar akullore ndërsa sot është shitës.

Një kënd tjetër që siguron të jetuarin me ushqim është dhe kuzhina e kampit. Çdo mëngjes në kuzhinë vlojnë 20 deri 30 kazane gjelle që ushqejnë katër mijë të ardhur. Katër kuzhinieret ndihmohen edhe nga vajzat nga Kosova. Përveç ushqimit, të ardhurit kanë patur probleme dhe me çadrat e tyre pasi uji i hyrë brenda i ka lagur gjithçka. Pjesa që jeton në kontinieret e ardhur nuk ka probleme madje ata po shtrojnë rrugën për të mos i hyrë balta brenda. Sot Shteti Grek ka sjellë dhe pesë kontiniere të tjerë që do të instalohen në këto lagje, por gjithsesi nuk zëvëndësojnë shtëpitë e tyre./tvklan.al

Gazetare: Holta Zhiti






Të ngjashme