Socialistët mbledhja e KPD – (24 Prill 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Socialistët shtyjnë datën e kongresit për një afat të papërcaktuar. Kjo është vendosur sot në mbledhjen e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të Partisë Socialiste. Për shkak të situatës së rëndë kryeministri Majko ka kërkuar që Kongresi të mos mbahet në fund të Qershorit.
Kryeministri Pandeli Majko:- “Në këto momente ne duhet të tregojmë më shumë pjekuri dhe maturi se kurrë duke lënë mënjanë rivalitetet e rastit. Në kryesi kemi diskutuar për shtyrjen e datës së Kongresit, të cilin në verën e kaluar e kemi vendosur të zhvillohej për në fund të Qershorit. Besoj se shtyrja deri në përfundim të krizës Kongresit tonë do dëshmojë maturi duke i dhënë kohë qeverisë dhe strukturave të tjera të Partisë Socialiste të angazhohen fuqimisht dhe me të gjitha mundësitë për zgjidhjen e krizës. Dua të them se nëse sot marrim vendime të nxituara mund të gjendemi përpara situatave shumë të vështira nesër. Nuk do të dëshiroja kurrë që të mbanim një kongres në kushte lufte dhe të flasim edhe për meskinitete eventuale në kohën kur jashtë e brenda dyerve tona refugjatët kosovare … nga pozicionet që kemi zgjedhur me vullnet të lirë apo nga ato në të cilat na kanë zgjedhur”.
Ndërsa ish-kryetari socialist Fatos Nano i cili ka folur menjëherë pas kryeministrit u shpreh.
Fatos Nano:- Zgjidhja ose jo e çështjes së Kosovës dhe e gjithë problematikës që paraqita më lart për mbijetesën e kombit dhe perspektivën e zhvillimit të Shqipërisë, na zgjat ose na shkurton ditët të gjithëve dhe nuk mund t’i zgjasë askujt pushtetin personal. Në rast se cilido mendon në mënyre naive se mund të ndërtojë një karrige apo një karriere heroike në thonjza, në kurriz të të tjerëve, të vetë partisë apo të perspektivave kombëtare për shkak të krizës së sotme, ju ftoj të mos ta lejojmë këtë gjë, sepse do të ndodheshim të gjithë përballë një shtëpie të shkatërruar dhe një toke të djegur”.
Në forumin më të lartë socialist është debatuar për rikthimin e Nanos në postin e Kryetarit të Partisë. Një grup anëtarësh i kanë kërkuar atij të drejtojë Partinë Socialiste deri në Kongres. Ndërsa Nano ka pranuar në parim kërkesën e tyre ajo është hedhur poshtë nga Kryesia e Partisë, duke e konsideruar jo statuor propozimin, kryesia pas debatesh të shumta ka arritur ta shmang nga rendi i ditës./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego