Toni Bler vizitë në Mjekës të Elbasanit (18 Maj 1999)
Mbërriti në Tiranë Kryeministri i Britanisë së Madhe Toni Bler. Ai u prit në Aeroportin e Rinasit nga Kryeministri Pandeli Majko dhe anëtaret e tjerë të Qeverisë Shqiptare. Më pas Bler i shoqëruar nga Majko u nis për të vizituar kampin e të ardhurve nga Kosova në Mjekës të Elbasanit. Pritje e shkëlqyer për Kryeministrin Bler nga shqiptarët e shpërngulur me dhunë nga Kosova.
Ai ka vizituar çadrat e kampingut dhe është njohur nga afër jo vetëm me dëshmitë tronditëse por dhe me kushtet e jetesës në të cilat ata jetojnë. Bler ka folur për gazetarët dhe të ardhurit nga Kosova. Bler tha: “Këta njerëz kanë lënë shtëpitë e vatrat e tyre në Kosovë, ndaj misioni ynë është i thjeshtë, t’i rikthejmë ata në trojet e tyre dhe të jetojnë në paqe e të qetë. Unë, tha Bler, sapo fola me disa familje të cilët më treguan gjëra të tmerrshme që kanë vuajtur dhe parë. Ditë pas dite tha ai, fushata jonë kundër Millosheviçit vazhdon.”
Në Serbi sot ka patur demonstrata kundër tij. E ardhmja e fëmijëve të Kosovës do jetë e njëjtë me ata të fëmijëve në Europën Perëndimore. Unë dua t’i shoh këta fëmijë të lirë, tha Bler, në këtë pjesë të Europës ku të mbizotërojë toleranca dhe liria e çdo grupimi etnik apo fetar. Premtoj se e ardhmja e Kosovës do të jetë e paqtë dhe e begatë. Shumë shpejt përfundoi Bler, këta njerëz do të kthehen në Kosovë.
Më pas Kryeministri Majko u shpreh, nuk kam koment, ne jemi pjesë e të njëjtit vendim, ne jemi pjesë e të njëjtit zë, jemi pjesë e të njejtave vende e së njëjtës botë./tvklan.al
Gazetar: Teodor Keko