Bombardime në Jugosllavi e Serbi (28 Maj 1999)
Aeroplanët e NATO-s kanë vazhduar me goditje të fuqishme në objektivat ushtarake në Kosovë dhe në Serbi. Raketat e NATO-s kanë goditur instalimet elektrike të Serbisë duke zhytur kryeqytetin në errësirë. Janë nxjerrë jashtë përdorimit tre transformatorë të Beogradit. Gjatë natës janë sulmuar dhe pika të shumta në periferinë e Beogradit.
Mbrëmë është bombarduar një zonë industriale në Aleksinç dhe ku sipas mediave serbe kanë vdekur tre veta. Për herë të parë mbrëmë është bombarduar edhe reaktori në Vinç. Po kështu qyteti i Nishit dhe rethinat e tij kanë qënë në fokus të sulmeve gjatë gjithë natës së kaluar.
Mediat lokale serbe dhe dëshmitë e dhëna me internet njoftojnë për sulme të tjera ajrore në pjesë të tjera të Serbisë. Në Kosovë aeroplanet e NATO-s kanë vazhduar të godasin objektet, pozicionet dhe njësitë e blinduara të forcave ushtarake serbe. Janë shkatërruar mbi 20 njësi artilerie dhe të paktën dy tanke./tvklan.al
Gazetare: Holta Zhiti