Sabri Godo intevistë për Ibrahim Rugovën (30 Maj 1999)


Sabri Godo intevistë për Ibrahim Rugovën (30 Maj 1999)

11:19 30/05/1999

Intervistë me zotin Sabri Godo, Kryetar i Komisionit Parlamentar të Punëve të Jashtme, i cili flet për Presidentin e Kosovës zotin Ibrahim Rugova.

Sabri Godo: Kjo u shtohet atyre lëvizjeve të pashpjegueshme të Rugovës, të takimeve dhe të udhëtimeve të tija. Ai duhet të shkojë atje ku janë krerët e partisë së tij dhe me sa kam dijeni unë janë në Shkup dhe duhet të ringjallet partia e tij si një forcë e madhe politike në Kosovë. Dhe të thotë fjalën e vet tani, ti dalë për zot punëve tani, të dëbuarve dhe fatit të luftës në Kosovë. Dhe në rast se zoti Rugova u qëndron larg këtyre punëve atëherë partia e tij duhet të vendosë se çka do të bëje. Kjo është një gjendje krejt e palejuar është një lloj indiference ose një lloj stakimi krejt pa kuptim.

Gazetari: Pra ju mendoni se dhe LDK-ja është e përçarë pra duhet zëvëndësuar Rugova ose duhet dhënë mandat një tjetër njeriu i cili të vinte në Tiranë dhe jo në Shkup ku keni kërkuar ju?

Sabri Godo: Kjo është një çeshtje e LDK-së. Por unë them se neve jemi duke u marrë tepër me këtë çeshtje se ku shkoi Rugova, ç’foli Rugova dhe ç’tha Rugova. Dhe kjo është si jehonë e asaj që ndodh me Rugovën në Evropë. Kemi dëgjuar në shtyp dhe gjithandej ta quajnë Gandin e Ballkanit. Ndonjë tjetër mund dhe ta pranojë këtë si një gjë të vërtetë. Por mua më ka takuar të lexoj jetën e Gandit dhe gandizmi është krejt tjetër s’ka të bëje me pacifizmin e zotit Rugova. Për ta lënë mënjanë këtë, them që në rast se këta krerë të Kosovës nuk bashkohen sot dhe Rugova nuk jep kontributin e vet, atëherë këta nuk do të mund t’i përgjigjen popullit të Kosovës në të ardhmen kur t’u bëhet gjyqi, se do t’u bëhet një gjyq moral dhe politik dhe në atë gjyq secili do të ketë pjesën e vet. Ai që ka kontribuar, ai që ka asistuar pa kontribuar, ose ai që ka bërë edhe të kundërtën. Do të ndahet hesapi i gjithkujt. Kur të vijë kohë. Kurse tani medoemos duhet ti jepet një zgjidhje kësaj situate.

Gazetari: Përfundimisht është prerë shpresa që Rugova do të vijë në Tiranë?

Sabri Godo: Jo nuk besoj. Kjo do të ishte një gjë me të vërtetë ekstreme. Të shkosh në Maqedoni dhe mirë shumë sepse 35 % të shtetasve maqedonas janë shqiptarë, dhe atje ka gati 300 mijë të dëbuar nga Kosova, është një udhëtim i detyrueshëm i zotit Rugova në Shkup ashtu si dhe për të gjithë neve, por nuk mund të lihet mënjanë Shqipëria. Ne nuk jemi një vend armiqësor për zotin Rugova./tvklan.al

Gazetar: Vladimir Lame






Të ngjashme