Greqi, arrin në 31 numri i të infektuarve me koronavirus
Mbyllen shkollat në Patra, rastet e para në Bosnje, Slloveni e Hungari
E gjithë Europa është në alarm nga koronavirusi. Greqia është vendi i radhës që nis marrjen e masave të ashpra kundër përhapjes së virusit të rrezikshëm, teksa numri i të prekurve ka arritur në 31.
Autoritetet kanë mbyllur për dy ditë shkollat, teatrot, kinematë, sitet arkeologjike e sportive në rajonin e Akaias në veri të Peloponezit, pas konfirmimit të dy rasteve të infektimit.
Bëhet fjalë për një grua dhe një burrë 65 vjeç, të cilët muajin e kaluar ishin kthyer me të njëjtin avion nga Izraeli. Ata janë izoluar në spitalin e Patrës. Disa persona që kanë pasur kontakte me ta po u nënshtrohen analizave. Ndërsa ambientet e vizituara prej tyre po u nënshtrohen dezinfektimit.
Në hartën e përhapjes së koronavirusit është futur së fundi edhe Bosnjë-Hercegovina, ku një emigrant i rikthyer nga Italia së bashku me të birin, rezultuan pozitiv ndaj testeve dhe po kurohen në spitalin e Banja Lukës. Virusi është përhapur edhe në Slloveni e Hungari. Ndërsa në Kroaci numërohen tashmë 10 të infektuar.
Me 107 viktima të shënuara deri më tani, Italia bëhet vendi i dytë në botë për nga numri i viktimave pas Kinës. Të njëjtin numër viktimash ka shënuar së fundi edhe Irani. Italia megjithatë ka 167 të prekur më shumë se Irani dhe numëron në total 3089. Kjo hartë e publikuar nga CNN e konsideron Italinë si epiqendrën e përhapjes së virusit në pjesën më të madhe të globit, në Europë, Amerikë, Lindjen e Mesme dhe Afrikë.
Teksa e gjithë bota është në pritje të vaksinës kundër koronavirusit, kjo mjeke e ushtrisë kineze është fotografuar teksa i injektohet me gjilpërë një nga variantet e vaksinës që po testohet në Kinë. Ajo ka dalë vullnetare për të kryer testet tek njeriu. Në gjithë botën, koronavirusi numëron afro 3300 viktima e mbi 95 mijë të infektuar.
Tv Klan