Genc Pollo, Sokol Gjoka, bisedimet për Kosovën – (7 Qershor 1999)


Genc Pollo, Sokol Gjoka, bisedimet për Kosovën – (7 Qershor 1999)

14:12 07/06/1999

Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Partia Demokratike ka kërkuar kundërpërgjigjen me zjarr të palës shqiptare ndaj agresionit serb në kufirin Verilindor. Nënkryetari demokrat Pollo ka reaguar dhe ndaj ndërprerjes së bisedimeve mes ushtarakëve të lartë të NATO-s dhe atyre serbe.  

Genc Pollo, Nënkryetari i PD:- “Millosheviçi është përpjekur gjithmonë të negociojë të arrijë një marreveshje por kurrë të mos respektojë atë marrëveshje, sidomos pjesën e marreveshjeve që nuk i leverdis. Dhe këtë e dëshmoi përsëri nëpërmjet udhëzimeve që padyshim ai personalisht u ka dhënë negociatorëve të palës serbe në bisedimet që u bënë në Kumanovë. Është vetëm forca dhe gjuha forcës dhe vendosmëria dhe uniteti i Aleancës së Atlantikut ajo që do ta detyrojë atë të nënshkruajë dhe të zbatojë atë që nënshkruan”.

Po sot zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Sokol Gjoka ka shprehur qëndrimin e Qeverisë Shqiptare në lidhje me dështimin e planit të paqes për Kosovën

Sokol Gjoka, Ministria e Jashtme:- “Ndërprerja e bisedimeve në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme nuk na çuditi shumë. Sepse edhe në deklaratën e Qeverisë Shqiptare nga pala jugosllave kjo u pa me rezerva dhe dihet që Milosheviçi dhe politika e tij dhe Beogradi zyrtar gjithmonë janë përpjekur që të përfitojnë kohë që të realizojnë synimet e tyre duke përfituar dhe nga këto marrëveshje të ndërmjetme”./tvklan.al  

Gazetare – Ornela Bego






Të ngjashme