Ruçi: Marrëdhëniet e mia me Presidentin i përcakton Kushtetuta
“E mirëpres kreun e shtetit në Parlament”
Në një atmosferë ultimatumesh dhe kërcënimesh me kreun e shtetit, përgjigjia e Gramoz Ruçit për Ilir Metën ka qenë e ftohtë dhe brenda kufijve institucionalë.
Një pergjigje ku qe e vështirë të dalloje nëse socialistët do të negociojnë apo jo përballë kërcënimit për ta firmosur dekretin e shpërndarjes së Parlamentit bashkë me popullin, pikërisht në sallën e Kuvendit.
“Marrëdhëniet e mia me Presidentin nuk ka pse të shpik rrotën, i ka përcaktuar qartë Kushtetuta e Shqipërisë. Më obligon Kushtetuta të mirëpresë Presidentin sa herë dëshiron të vizitojë Parlamentin ose do të mirëprisja dhe do të lexoja çdo mesazh që ai do i drejtonte Parlamentit. Parlamenti, një nga funksionet kryesore, është ai legjislativ të bëjë ligjet, siç Presidenti ka të drejtë të kthejë ose dekretojë ligje. Secili institucion është Sovran, si Parlamenti dhe Presidenti, për dekretet që miraton apo kthen për të rishqyrtuar në Kuvend”.
Ilir Meta iu drejtua si mik, por si socialistë të vjetër a kanë mundur të diskutojnë për situatën e krijuar lidhur me procedurën e ndjekur në emërimin e Gjykatës Kushtetuese?
“Siç e dini Presidenti është i depolitizuar nga Kushtetuta por dhe unë që nuk jam i detyruar nga Kushtetuta këto dy vite kam qenë totalisht i depolitizuar. Besoj se nuk e kam përdorur asnjë sekondë mikrofonin e kryetarit të Parlamentit për probleme partiake. Parë në këtë këndvështrim, nëse Presidenti ka nevojë për qëndrime të mazhorancës, kjo ka struktura partie që mund ti thërrasë, ose ato nëse kanë problem me Presidentin mund të kërkojnë takim me të”.
Këto deklarata kreu i Kuvendit i bëri gjatë një konference për shtyp me Presidentin e Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, i cili u bëri thirrje palëve të ulen në tryezë për gjetjen e një dialogu.
Tv Klan