Namik Dokle e Genc Pollo intervistë për Kosovën (17 Qershor 1999)


Namik Dokle e Genc Pollo intervistë për Kosovën (17 Qershor 1999)

11:56 16/06/1999

Intervistë me Nënkryetarin e Kuvendit të Shqipërisë zotin Namik Dokle dhe Nënkryetarin e Partisë Demokratike zotin Genc Pollo.

Namik Dokle: Mendoj që Kosova ka marrë një rrugë të shkëlqyer drejt integrimit në Europë dhe në strukturat Euroatlantike dhe populli i Kosovës dhe në përgjithësi udhëheqësit politikë të Kosovës duke përfshirë sidomos udhëheqësit e rinj të UÇK-së kanë kuptuar se një nga elementet bazë për të ardhmen e Kosovës është bashkëpunimi me forcat demokratike të botës, duke nisur me NATO-n dhe duke mbaruar dhe me institucionet e tjera të shoqërisë civile. Kërkesa e rusëve për të pasur një zonë të tyre të veçantë dhe kërkesa për të mos qënë nën komandën unike të NATO-s synon pikërisht modelin e Berlinit. Dhe ky model i Berlinit është i papranueshëm se askush në Europë dhe askush në NATO nuk do të lejojë ndarjen e Kosovës.

Genc Pollo: Besoj tashmë që trupat e NATO-s kanë shkuar deri në Veri të Kosovës, deri në Mitrovicë, ndarja në dy pjesë që një pjesë t’i atashohet më vonë Serbisë është krejtësisht e përjashtuar dhe nuk duhet të frikësohemi me këto skenare pa përmbajtje.

Gazetari: Mendoni që Kosova u bë fakt i kryer pavarësia e saj dhe krijimi i një shteti të pavarur dhe a e gjykoni normale që Thaçi të shkojë në Prishtinë dhe të marrë drejtimin e gjithë Qeverisë?

Genc Pollo: Mendoj që Kosova është në rrugën drejt Pavarësisë, megjithate vendimi duhet të merret në kohën e duhur. Kosova tani ka prioritete të tjera. Kryesorja është që siguria po garantohet me largimin e plotë të trupave serbe dhe vendosjen e të gjithë kontigjentit të KFOR-it në Kosovë, pra mundësohet kështu kthimi i të dëbuarve. Ata duhet të sigurojnë jetën normale të ndërtojnë shtëpitë e djegura, të fillojnë të normalizojnë mënyrën e jetesës së tyre gjë që nuk do të jetë e lehtë dhe në kohën e duhur ata natyrisht nëpermjet zgjedhjeve do përcaktojnë dhe cilët do të jenë drejtuesit politikë./tvklan.al






Të ngjashme