Ushtarët e KFOR-it në Kosovë (17 Qershor 1999)
Sot mbi 900 ushtarë të kontigjentit francez kanë mbërritur në Mitrovicë. Ata kanë marrë qytetin nën kontroll dhe do të mbikqyrin tërheqjen e forcave serbe. Gjatë natës së kaluar forcat serbe që po tërhiqeshin drejt Serbisë kanë granatuar disa lokalitete shqiptare. Në Finlandë kanë vazhduar bisedimet për të përcaktuar statusin e trupave ruse në Kosovë.
Delegacionet amerikane e ruse të kryesuara nga Ministrat e Mbrojtjes Kohen e Sergejev kanë dhënë vlerësime optimiste, por modalitete konkrete ende nuk janë bërë të njohura. Në Helsinki ndodhen dhe Ministrat e Jashtëm Ollbrajt e Ivanov. Presidenti Amerikan Klinton dhe ai Francez Shirak gjatë takimit në Paris thanë se presin rezultate pozitive nga bisedimet në Helsinki.
Në qytetet e Kosovës njësitë e forcave paqeruajtëse dhe asosacionet humanitare ndërkombëtare po bëjnë përpjekje të ndihmojnë popullsinë me artikuj ushqimore. Inxhinierët britanikë riaftësuan sistemin e furnizimit të Prishtinës me ujë të pijshëm. Nëpër rrugë vërehen dhe pjesëtarë të UÇK-së. Zyrtarët e NATO-s kanë deklaruar se demilitarizimi i UÇK-së nuk mund të bëhet para tërheqjes së plotë të forcave serbe nga Kosova.
UÇK duhet të shndërrohet në një parti politike dhe të marrë pjesë në rindërtimin e Kosovës, ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Havier Solana./tvklan.al