Kurti refuzon sërish ftesën e Thaçit


Kurti refuzon sërish ftesën e Thaçit

22:53 11/03/2020

Presidenti: Duhet të jemi të unifikuar

Kryeministri i Kosovës ka refuzuar sërish ftesën e Presidentit Hashim Thaçi, ku ky i fundit i kishte ofruar tri termine për takim. Thaçi tha se e ka ftuar Kurtin në takim që të reflektojnë karshi kërkesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që menjëherë të shfuqizohet tarifa 100 për qind e vendosur nga qeveria e kaluar e Kosovës ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, si kusht i domosdoshëm për vazhdimin e dialogut për arritjen e një marrëveshjeje paqësore në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Do të ishte në interes që të gjithë të shpenzojmë energji për unifikim. Kosova është atdheu i të gjithë qytetarëve të saj”.

Zyra e kryeministrit thotë se ai është i zënë dhe të premten pasdite Kryeministri Kurti është i lirë për të takuar Presidentin.

SHBA e ka paralajmëruar Kosovën me pasojat që mund të ballafaqohet, duke mos përjashtuar as mundësinë e tërheqjes së trupave amerikane nga Kosova.

“E vetmja adresë që na ka qëndruar afër edhe në kohë më të vështira është SHBA-ja. Më lehtë çdo lider i Kosovës do të shkojë në shtëpi të vet, do të pensionohet para kohe, sesa që do të largohen trupat amerikane nga Kosova”.

Kurti kishte refuzuar edhe takimin e së hënës, ku Presidenti i kishte takuar krerët e partive politike. Derisa Presidenti kishte refuzuar më parë dy kërkesa të kryeministrit Kurti për takim për të harmonizuar qëndrimet për politikën e jashtme. Për shkak të siç është thënë qasjes kundërshtuese të  Kurtit ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, opozita kërkoi sërish seancë të jashtëzakonshme.

Tv Klan






Të ngjashme