Bizneset hyjnë në cikël humbjesh për shkak të koronavirusit
“Qeveria të pezullojë taksat, të paguajë punonjësit që pushojnë”
Bllokimi i një pjese të aktiviteteve ekonomike dhe linjave të transportit për shkak të përhapjes në Shqipëri të koronavirusit po sjell kosto të mëdha për bizneset. Fasonët janë ndër sektorët më të prekur, të cilët edhe përpara ardhjes së virusit në vendin tonë, kanë vuajtur rënien e furnizimit me lëndë të parë nga Kina dhe kanë patur reduktim të kërkesës për mallra nga Italia.
Gjergji Gjika, kryetar i Shoqatës së Fasonistëve thotë se problemi kryesor që po haset është me fuqinë punëtore, të cilët janë të trembur për të shkuar në punë, e ndërsa një pjesë tjetër nuk ka mjete të transportit publik.
Vështirësi janë duke ndier edhe bizneset e shërbimeve të cilat janë mbyllur, ndërsa ndërmarrjet e furnizimit dhe shpërndarjes kanë patur shtim të kërkesave dhe xhiros, por ata kërkojnë që të ketë ndihma në logjistikë dhe mbështetje me pajisje higjieno-sanitare për këto sektorë.
Bashkimi Tregtar kërkon që të merren masa lehtësuese nga qeveria si shtyrje e pagesës së taksave dhe falje e sigurimeve shoqërore për punonjësit gjatë ditëve që ata nuk dalin në punë.
Fasonët thonë se probleme të shumta hasin edhe në transportin e mallrave për shkak se një pjesë e mirë e punonjësve të stafit të porteve në Itali janë të infektuar dhe në pamundësi për të punuar. Rënia e shitjeve të industrisë së modës mund t’i japë atyre një goditje të madhe këtë vit.
Në një deklaratë të nisur për mediat Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë i kërkon po ashtu qeverisë të shtyjë afatin e dorëzimit të bilanceve të 2019-s, të pezullojë pagesën e taksave për 2 muaj dhe të merret përsipër nga shteti pagesa e punonjësve të sëmurë.
Tv Klan