OKB: Po mbështesim Shqipërinë


OKB: Po mbështesim Shqipërinë

19:40 13/03/2020

Vlerësojmë masat e marra për Covid-19

Përfaqësia e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri vlerëson parandalimin si masën më të mirë për të luftuar koronavirusin.

Brian Williams, koordinator i përhershëm i OKB-së në Shqipëri, vlerëson pikërisht masat parandaluese të marra nga Shqipëria.

“Qeveria shqiptare ka marrë masa shumë të mira organizative për momentin, ka përgatitur spitalin Nënë Tereza. Nuk ka qeveri në botë që të ketë të gjitha burimet e nevojshme në rast se shpërthen epidemia dhe arrin kulmin, prandaj dhe gjëja më e mirë që mund të bëhet në këtë aspekt është parandalimi, për të mos  krijuar gjithë atë trysni të madhe në gjithë sistemin shëndetësor”.

OKB thotë se po kërkon mënyra se si mund ta ndihmojë Shqipërinë në këtë betejë, përfshirë furnizimin me pajisje.

“Sigurisht pastaj që në nivel global Kombet e Bashkuara janë duke parë me kujdes stoqet, pra pajisjet, furnizimet mjekësore në dispozicion për të parë se si mund të ndihmojë. Të gjitha agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri janë duke kërkuar mënyra se si mund ta mbështesin më mirë qeverinë shqiptare në masat që ajo po merr, por në gjithë këtë kontekst është OBSH ajo që është lideri”.

Përfaqësuesi i OKB–së apelon që qytetarët të rrinë nëpër shtëpitë e tyre, për të mbrojtur jo vetëm veten, por edhe ata që po shërbejnë në vijë të parë.

Tv Klan






Të ngjashme