COVID-19, Manastirliu: Masa agresive për frenimin e koronavirusit
Ministrat e Shëndetësisë së Ballkanit Perëndimor në video-konferencë me kreun e OBSH për Europën
Ministrat e Shëndetësisë së Ballkanit Perëndimor kanë zhvilluar pasditen e sotme një video konferencë me drejtorin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Europën, Hans Kluge, për masat që po ndërmerr çdo vend për frenimin e përhapjes së COVID-19.
Ministrja e Shëndetësisë Manastirliu gjatë fjalës së saj deklaroi që Shqipëria po merr masa agresive në këto momente, me kufizimin e lëvizjeve dhe distancimin social, duke vënë në zbatim planin strategjik për kufizimin, frenimin dhe lehtësimin e pasojave të përhapjes së COVID-19.
“Në këtë moment jemi të fokusuar tek implementimi i planit për të kufizuar sa më shumë të jetë e mundur përhapjen e COVID-19, përmes 3 elementëve: Kufizim, frenim dhe lehtësim pasojash nga koronavirusi i ri”, tha Manastirliu.
Drejtuesit e sektorit të shëndetësisë në vendet e rajonit dhe drejtuesi i OBSH për Europën u fokusuan edhe tek hapat që po ndërmerren për bashkëpunimin ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, për të vendosur sektorin shëndetësor si prioritet të rëndësishëm në agjendën e Bashkimit Europian./tvklan.al