Kledi i izoluar në Itali: Qeveria këtu mori masa me vonesë, ju vepruat direkt


Kledi i izoluar në Itali: Qeveria këtu mori masa me vonesë, ju vepruat direkt

18:26 14/03/2020

Këtë pasdite në emisionin “Rudina” në Tv Klan, balerini i njohur shqiptar që jeton në Itali, Kledi Kadiu, në një lidhje me Skype ka rrëfyer se si është situata aktuale atje.

Të vetëkarantinuar në banesë në Rimini për t’u mbrojtur nga koronavirus, Kledi tregon se prej dy ditësh ndodhen në izolim të plotë dhe mundohen që këtë periudhë ta shfrytëzojnë të paktën për të qëndruar me familjen.

Ai thotë se më herët për shkak të angazhimeve që ka pasur, nuk ka mundur të rrijë kaq gjatë me gruan dhe vajzën, ndërsa me humor thotë se edhe zihen.

“Unë jam gjithmonë në lëvizje në gjithë Italinë, e Charlotte nuk i duket e vërtetë të jem gjithë ditën në shtëpi por… jemi lidhur më shumë, zihemi më shumë se normale është, por e rëndësishmja është që jemi bashkë dhe mirë”.

Sa i takon masave të marra nga qeveria italiane, ai thotë se ndoshta kanë qenë paksa të vonuara.

Problemi është që edhe ne, edhe unë, nuk e dinim, se kjo është një eksperiencë që nuk e kemi jetuar dhe nuk e di se çfarë të bësh, dhe e kuptuam pak vonë. Edhe qeveria në Itali, ato rregullat që ju në Shqipëri i bëtë direkt, tek ne i bënë me shkallë, kjo më duket se e rëndoi pak më shumë situatën që ishte”, u shpreh ai.

Kledi thotë se të bijës nuk ia ka shpjeguar plotësisht se çfarë ka ndodhur sepse ajo është e vogël dhe nuk e percepton saktë.

“Ka nja dy ditë që më pyet kur do shkojmë tek kopshti dhe i them se janë duke e pastruar. Ditën e tretë më thotë: epo do të jetë i shkëlqyer atëherë, do të jetë me xixa fare kur të shkojmë”, rrëfen Kledi me humor. /tvklan.al  






Të ngjashme