Nano me socialistët në Vlorë – (29 Qershor 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Fatos Nano është rikthyer sot në Vlorë për të festuar me socialistët vlonjat dy vjetorin e fitores në zgjedhjet e 29 Qershorit. Disa kilomtra në hyrje të Vlorës, Nano është pritur me entuziazëm nga një grup simpatizantësh vlonjatë. Më pas ka vijuar takimi me qytetarët e Vlorës në të cilën ish-kryetari socialist Fatos Nano ka sulmuar ashpër kryeministrin Majko dhe bashkëpunëtorët e tij.
Fatos Nano:- “A nuk pata të drejtë kur u deklarova kundër një klani uzurpator në Partinë Socialiste, i cili ende sot 9 muaj pas largimit tim nuk ka gjetur ndjeshmëri të thotë asnjë fjalë zemre për njeriun që udhëhoqi PS për 8 vjet, ndërkohë që është puthur disa herë natën dhe ditën me Berishën. Kur mungon morali njerëzor, morali politik nëpërkëmbet. Politika nuk duhet lejuar të kuptohet si mosmirnjohje, si pusi apo si shfrytëzim i tjetër kujt”.
Nano ka kërkuar mbajtjen e kongresit të tretë të PS brenda muajt Gusht. Shumica që do të dal nga ky kongres theksoi Nano do të bëjë ndryshime rrënjësore jo vetëm në statutin dhe forumet drejtuese të PS por edhe në krye të koalicionit qeveritar. Partia Socialiste ka në prag të Kongresit dy rrugë ose të rilind në bazë të rregullave ose të përçahet vijoi Nano, por ne nuk do ta lejojmë klanin e uzurpatorëve të qeverisë të pushtoj edhe partinë. Një takim të veçantë ish-kryetari socialist Fatos Nano ka zhvilluar edhe me socialistët e Vlorës. Me takimet e bazës socialiste në Vlorë, Nano ka nissur fushatën për rikthimin në krye të socialistëve në Kongresin e III të kësaj partie./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame