Në Sauk mungon uji i pijshëm (28 Qershor 1999)
Uji i mbushur me autobot gjetkë shitet në Sauk. Lagja numër një tre kilometra larg Tiranës ka muaj pa ujë. Mbi 3 mijë banorë të Saukut vuajnë nga mospasja e ujit të pijshëm dhe mjaft papastërtive të ujrave të zeza që u ka plasur rreth banesave të tyre.
Për këta banorë sikur të mos mjaftonte problemi i ujit të pijshëm, duhet të përballen dhe me plasjen e ujërave të zeza. Askush nuk iu përgjigjet halleve të tyre. Një bidon kushton 1 mijë lekë. Ja çfarë tregojnë ata për situatën që përballen çdo ditë.
Banori: Ecim 5 kilometra në këmbë vetëm për ujë tek Sanatoriumi. E dyta është kjo dhe kanalet e zeza po i bëjmë hallall vetëm sebepi ujit që ka një muaj e gjysëm që ne po morim bidonat dhe po e blejmë me çisterno nga shoferët që po i bijnë këtu po i blejmë më parë. Edhe tubacionet që kanë vu këtu nuk i kanë vu permasat e duhura dhe ka ndërhyrje të tepërta në tubacione nga të ardhurit atje. Për këtë e kemi shumë problem.
Banorja: Shyqyr ne ja dijmë për faliminderit atij çunit që vje na ba ujin me lekë. Lekët i paguajmë ujë s’kemi.
Banorja: Të rrish në radhë të parë pa punë, të rrish e të blesh dhe ujin më parë, të jesh edhe në pallat, gjitha të këqijat i ka. Edhe ujrat e zeza. S’e dimë që nuk na ka ra një sëmundje deri tashti. Nuk ke ku të ankohesh kërkund se s’të jep rrugëzgjidhje kërkush. Duam që të bëhet një rrugëzgjidhje ose t’i lëmë krejt bosh e të shkojmë atje sikur qënë kosovarët në çadra ato duam ma tepër. Besoj se ma tepër kanë jetuar mirë ato në çadra se sa ne në pallat.
Një zorrë uji mundëson ardhjen e ujit nga Pallati i Brigadave, jashtë rrethimit të saj mjaft larg nga fshati ku ata banojnë./tvklan.al
Gazetare: Holta Zhiti