Rusia, fushatë dezinformimi në BE për koronavirusin
Zbulohet dokumenti sekret që qarkullon në Bruksel
Moska ka nisur një fushatë të ashpër dezinformimi në kulmin e betejës globale kundër koronavirusit. Shqetësimin e shprehin zyrtarët e Bashkimit Europian në një dokument sekret të siguruar nga agjencia e lajmeve Reuters, ku thuhet se kjo fushatë dezinformimi po përhap panik dhe konfuzion në vendet e BE-së dhe në gjithë perëndimin, duke minuar përpjekjet për të ndalur përhapjen me ritme të shpejta të koronavirusit.
Pjesë e fushatës së dezinformimit, sipas dokumentit të Bashkimit Europian është përhapja e lajmeve të rreme në gjuhë të ndryshme si Anglisht, Spanjisht, Italisht, Gjermanisht e Frëngjisht. Mes këtyre lajmeve të rreme qarkullojnë edhe teori se koronavirusi është një armë biologjike që po përdoret nga Shtetet e Bashkuara për të përmbushur qëllimet e tyre gjeopolitike në botë.
Në dokument thuhet se bazat e të dhënave të Komisionit Europian kanë regjistruar të paktën 80 raste të këtyre lajmeve të rreme të përhapura prej 22 Janarit nga media të lidhura me rusët, përmes rrjeteve sociale e portaleve informative në perëndim.
Agjencia Reuters thotë se Komisioni Europian ka kërkuar ndihmën e rrjeteve të mëdha sociale si Facebook e Twitter për ta ndalur këtë fushatë. Ndërsa zëdhënësi i Kremlinit Dimitri Peskov hodhi dyshime mbi ekzistencën e një dokumenti të tillë nga Bashkimi Europian.
Tv Klan