Sabri Godo, intervistë – (9 Korrik 1999)


Sabri Godo, intervistë – (9 Korrik 1999)

19:35 09/07/1999

Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Intervistë me Kryetarin e Komisionit të Jashtëm Parlamentar Sabri Godon për dhunën greke ndaj emigrantëve shqiptarë.

Gazetari:- Cili është mendimi juaj si Kryetar i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit për emigrantet në Greqi, si mund të zgjidhet kjo situatë?

Sabri Godo, Kryetar i Komisionit të Jashtëm:- “Këtë nuk arrij ta kuptoj sepse më përpara kemi parë ashpërsimin e qëndrimit ndaj emigrantëve tanë atje kur ka patur ndonjë ndodhi politike është përdorur si mjet presioni ndaj Shqipërisë. Unë mendoja se ne i kemi mbyllur këto llogari dhe se është hapur një faqe e re në marrëdhënie me Greqinë. Kjo bindje u lëkund disi gjatë konfliktit të Natos me Serbinë, dihet qëndrimin që mbajti Greqia. Kjo nuk duhet të kishte ndikuar në marrëdhëniet e dy vendeve tona. Tani Greqia ka gjetur një momënt shumë të vështirë, sepse në kohën që ne po përpiqemi të zbarkojmë dyndjen e kosovarëve që erdhën këtu, tani na vjenë kjo dyndje tjetër nga Jugu. Sot ka shkuar atje ministri jonë i Jashtëm. Nga një bisedë paraprake që kam patur me të, kjo duhet të jetë të paktën nga ana e tij tema qëndrore e bisedimeve me grekët. Greqia ka të drejtë të dëbojë të gjithë ata që nuk kanë leje për të hyrë në Greqi. Nuk mund ti kërkojmë këtë që të heq çdo kontroll, por kemi të drejtë të kërkojmë që qytetarët shqiptarë të cilët kanë leje qëndrimi atje, në bazë të rregullave dhe ligjeve konsullore, ata të mos dëbohen sikur janë njerëz pa Zot. Ky është një lloj gjesti i pashpjegueshëm dhe që duhet të ndalet menjëherë”.

Gazetari:- Ndërkohë ka informacione, madje ne kemi dhe filmime të qytetarëve shqiptarë të cilët janë të rrahur dhe të keqtrajtuar. Cili është opinion juaj dhe çfarë masash duhet të marrë qeveria?

Sabri Godo, Kryetar i Komisionit të Jashtëm:- “Qeveria duhet të përpiqet ti dalë për zot çdo qytetari shqiptar kudo që ndodhet, sidomos emigrantëve tanë në Greqi që janë shumë të rinj, pothuajse pjesa më e gjallë e kombit. Kjo nuk i bën mirë vetë Greqisë është një politike shumë dritëshkurtër, sepse do të lërë gjurma për marrëdhënien tonë në të ardhmen. Nuk e di kush i provokon kush i nxit këto në Greqi. Qeveria jonë duhet të flasë qartë”./tvklan.al






Të ngjashme