Investimet e huaja rekord, shkojnë 1.085 miliard euro
Rriten me 63 milion € nga viti 2018
Investimet e huaja direkte kanë shënuar nivelin më të lartë historik në fund të vitit 2019-ë, pavarësisht efekteve që dha tërmeti i 26 nëntorit në ekonominë tonë.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, investimet nga jashtë për vitin e shkuar arritën në 1 miliard e 85 milion euro, ndërsa për tremujorin e fundit të vitit, rezultuan 275 milion euro.
Investimet janë rritur nga viti në vit me 63 milion euro, duke kapur një rritje vjetore 6%.
Ky është një lajm i mirë që vjen në kulmin e krizës që ka Shqipëria dhe shumë vende të botës për shkak të përhapjes së pandemisë të Covid-19, situatë e cila sjell vështirësi në shumë aktivitete ekonomike dhe tkurr buxhetin e kompanive për të investuar.
Sipas të dhënave nga Agjencia e Investimeve të Huaja, aktualisht është duke u biseduar me kompani të huaja të cilat kanë shprehur interes për të ardhur në Shqipëri për prodhimin e pjesëve automobilistike dhe të hoteleri – turizmit.
Rritja e investimeve direkte rrëzoi edhe parashikimet e Bankës Botërore për një tkurrje të tyre për shkak të fundit të fazës së investimeve në dy hecet Banjë dhe Moglicë dhe ndërtimin e rrugëve të gazsjellësit Transadriatik.
Tv Klan