Lufta për maska


Lufta për maska

21:40 25/03/2020

Nuk ka mjete mbrojtëse për popullin, prodhon dhe eksporton vetëm Kina

Autoritetet shëndetësore u kërkojnë qytetarëve të marrin masa, të ruajnë distancat, të përdorin maska sidomos kur shkojnë për të bërë pazare. Por maska për popullsinë nuk ka. Tregu është bosh.

Në shumë farmaci kanë vendosur edhe shënime që nuk kanë maska, për të shmangur radhët e qytetarëve që i kërkojnë. Edhe në ato pak raste që mund të gjenden janë me çmime shumë të kripura.

Ndërkohë që nuk duhet të harrojmë se këto maska janë një përdorimëshe, pasi janë maska të thjeshta dhe jo me filtër. Pas përdorimit për disa orë duhet të hidhen sepse nuk janë më efikase.

Klan Plus ka pyetur një prej grosistëve të cilët furnizojnë tregun me maska, dhe sipas tyre i vetmi vend që sot prodhon dhe eksporton këtë produkt është Kina. Pasi vendet e tjera të rajonit e kanë ndaluar eksportin e tyre për shkak të nevojave që kanë vetë për këto maska mbrojtëse.

Ndërsa çmimet janë shumë të larta në krahasim me çmimet e mëparshme. Edhe për maskat e thjeshta vlera kushtojnë 2 apo 3-fish më shtrenjtë. Kjo është maskë një përdorimëshe e thjeshtë, në treg dalin me çmimin 200 lekë copa ndërkohë që para epidemisë këto maska kushtonin 25 lekë copa.

Ndërsa këto të tjerat, të cilat njihen dhe si maskat kirurgjikale që janë të standardit FFP1, në treg mund të gjenden 600 lekë copa, ndërsa më parë kanë qenë me 150 lekë.  

Sipas tyre çmimet normalisht që janë më të shtrenjta, pasi prodhuesit i kanë rritur. Ndërkohë që një shqetësim për importuesit janë edhe bllokimi i kufijve apo mbyllja e fluturimeve edhe për kargot në disa shtete, duke e bërë transportin shumë më të vështirë por njëkohësisht rriten edhe kostot.

Me sa duket, në pandeminë globale nga koronavirusi lufta më e madhe sot po bëhet për maska. Ndërkohë që në rritje janë edhe kërkesat për doreza, dezinfektantë si dhe vitamina, sidomos vitamina C, B kompleks apo multivitaminat.

Klan Plus






Të ngjashme