Thaçi: Do përpiqem të shmang zgjedhjet e parakohshme


Thaçi: Do përpiqem të shmang zgjedhjet e parakohshme

16:16 27/03/2020

Presidenti takon ambasadorin amerikan në Kosovë

Një ditë pasi SHBA-ja konfirmoi se nuk ka ndonjë marrëveshje të fshehtë për zgjidhjen përfundimtare të dialogut Kosovës-Serbi, ambasadori amerikan në Kosovë, Philipe Kosnet, ka diskutuar me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për procedurat për krijimin e qeverisë së re.

Nëpërmjet një statusi në Facebook, Thaçi bëri të ditur se me ambasadorin Kosnet janë pajtuar që qeveria të krijohet duke u bazuar në respektimin e Kushtetutës së Kosovës.

Thaçi ndërkaq gjatë ditës ka thënë se është duke bërë përpjekje që të anashkalojë zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe të krijohet një qeveri teknike gjithëpërfshirëse. Ai ka thënë se nga dita e hënë do të nis konsultimet me liderët e partive politike.

“Fokusi im do të jetë që në çdo rrethanë të eliminohet mundësia e organizimit të zgjedhjeve të reja apo shpërbërja e Kuvendit. Propozimi im do të jetë krijimi i qeverisë së re. Pra nga e hëna në mëngjes do t’i ftoj liderët e partive politike dhe do t’i dëgjoj opinionet e tyre dhe të prezantoj kriteret mbizotëruese për krijimin e qeverisë së Kosovës në mënyrë që të mos ketë vakum institucional”.

Këto komente Thaçi i bëri gjatë vizitës në qendrën e studentëve, ku po mbahen në karantinë personat e kthyer nga vende të ndryshme të botës. Ndërkohë komuna e Prishtinës është duke vazhduar me dezinfektimet e rrugëve dhe objekteve me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit.

Derisa komunat e Kosovës nëpërmjet Asociacionit të Komunave kanë kërkuar ndryshimin e masave rreth ndalimit të qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve. Sipas këtij asociacioni, jashtë orarit të ndalim qarkullimit, konkretisht nga ora 16:00 deri në orën 20:00 ka turma të njerëzve që dalin për t’u furnizuar apo kryer obligimet e tjera dhe kjo sipas tyre është mundësi potenciale për përhapjen e virusit. 

Tv Klan






Të ngjashme