16-vjeçarja Julie, viktima më e re në moshë nga koronavirusi në Francë


16-vjeçarja Julie, viktima më e re në moshë nga koronavirusi në Francë

18:25 27/03/2020

Një vajzë 16-vjeçare në Francë ka humbur jetën për shkak të koronavirusit COVID-19.

Adoleshentja e quajtur Julie, sipas mediave franceze, është viktima më e re në moshë në Francë që ka humbur jetën si pasojë e sëmundjes.

Zyrtarët e shëndetësisë në Francë thanë se simptomat e rënda të virusit tek të rinjtë janë jashtëzakonisht të rralla, ndërsa vdekjen e 16-vjeçares e konsideruan si tragjike.

Julie ka qenë studente në kolegj. Sipas motrës së saj, adoleshentja nuk vuante nga asnjë sëmundje tjetër.

“Njerëzit nuk duhet të mendojnë më që kjo sëmundje prek vetëm të moshuarit. Askush nuk është imun përballë këtij virusi”, tha motra e 16-vjeçares për gazetën franceze ‘Le Pariesien’.

Familja e viktimës tha për mediat se gjithçka ndodhi shumë shpejt. Sipas tyre, Julie kishte vetëm kollë të thatë javën e kaluar. Gjendja  e saj u përkeqësua gjatë fundjavës dhe mjekët e diagnostikuan me probleme në frymëmarrje.

Pasi u transferua në spital, u mbajt në intubim për shkak të gjendjes së rënduar. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 16-vjeçarja humbi jetën mbrëmjen e së martës. Mjekët thanë se rasti i Julie ishte i pazakontë, duke u shprehur se adoleshentja ishte prekur në mënyrë agresive nga virusi. /tvklan.al






Të ngjashme