Kinema Millenium – (22 Korrik 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Millenium, kinemaja e vetme në Shqipëri përgatitet të pres spektatorin. Është një investim prej 250 mijë dollarësh amerikanë që bëjnë të mundur zbatimin e këtij projekti ambicioz në qendër të Tiranës. Ish-kinema “Republika” sot me emër të ri krijon kushte bashkëkohore për spektatorin e uritur vendas.
Me një sallë moderne 250 vendëshe, ky projekt do të pres njerëzit e parë më 30 Korrik ditën e inagurimit, për të vazhduar më tej me salla të tjera me kapacitet më të vogël. Projektuesi Kris Andoni për Tv Klan thotë:
Kris Andoni:- “Ndryshim nga kinematë e mëparshme, nga kinematë klasike, kinemaja që është në përfundim është e sistemit dixhital me materialet më të fundit si në drejtim të projektimit të filmit dhe në atë të izolimit, materialet akustike. Në drejtim të kalendarit të filmave, i cili është një kalendar internacional si dhe në drejtim të shërbimeve që ofrohen brenda kinemasë. Nga pikëpamja e arkitekturës jemi munduar të shfrytëzojmë atë struktur të vjetër të trashëguar të kinema Republikës, duke e përshtatur në një repertori të ri vlerash moderne, si në drejtim të ngjyrave, të ndriçimit, etj”.
Do të jetë IDA, International Distribution for Albania kompania që do ti paraqesë publikut shqiptar prodhimet e gjigandëve kinematografik. Në të ardhmen mendohet ndërtimi i komplekseve të tilla dhe në qytete të tjera të vendit./tvklan.al