Shkarkohet Mit’hat Havari – (27 Korrik 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Mit’hat Havari, Drejtor i Policisë Tiranë:- “Mirë që e kapi Elbasani, unë e përgëzoj megjithsë ata kanë shkelur një lloj procedure me zonën tonë, ata duhet të komunikojnë me ne, duhet të bashkëveprojnë me ne. Këtu nuk është për të bërë show. Nuk është kapja e Tan Kateshit vendosja e rendit”.
Kjo është intervista e fundit e dhënë për shtyp e drejtorit të policisë së Tiranës Mit’hat Havari. Ai akuzon kryepolicin e Elbasanit Edmond Koseni për thyerje të ligjit duke kryer arrestimin e Kateshit në territorin e tij. Është pikërisht arrestimi i Tan Kateshit në qendër të Tiranës nga Koseni që ka bindur përfundimisht Ministrin e Rendit Publik Spartak Poçi të marrë vendimin e madh. Mit’hat Havari të largohet nga posti i kryepolicit të Tiranës dhe vendin e tij e zë kolegu dhe sfiduesi i tij colonel Edmond Koseni.
Sipas bashkëpuntorëve të ngushtë të Ministrit të Rendit Publik, ky i fundit është takuar me komisar Kosenin sot në zyrën e tij duke i komunikuar komisarit të fortë emërimin e ri. Ndërkohë vetë Havari aktualisht ndodhet me pushime në plazhin e Golemit.
Kolonel Havari i quajtur ndryshe dhe dora e hekurt sipas vetë atij është ndjer I fyer nga aksioni blic i Kosenit në arrestimin e Kateshit, aksion që mund të shkaktonte përplasje me policët e kryeqytetit. Poçi akuzon Kosenin për thyerje të ligjeve dhe shkelje të rregullave të policisë.
Por është pikësrisht kjo shkelje sispas Havarit që solli dhe fundin e tij në kolltukun e vështirë të kryepolicit të Tiranës dhe zëvendësimin me sfidantin e tij komisar Edmond Kosenin. Megjithatë vendimi i ministrit Spartak Poçi nuk është zyrtarizuar ende duke pritur ndoshta mbarimin e pushimeve të Havarit për ti komunikuar largimin nga posti dhe emërimin e ri.
Ndërsa vetë komisar Koseni mohon që në ministri sot Poçi ti ketë folur për një emërim të ri duke pranuar se ka biseduar me të dhe se ndihet shumë mirë në Elbasan. Por dhe drejtori i policisë së Beratit Hasan Ahmetaj mund të largohet nga posti i tij duke u transferuar ndoshta në ministri. Nexhmedin Hoxha drejtor i policsë së Korçës mund të emërohet në Vlorë. Ndërsa Ali Vokshi ish-drejtor në Dibër shkon shef komisariati në Sarandë. Me ndryshimet e fundit në dikasterin e tij ish-ministri Poçi mendon ti vërë fre kriminalitetit dhe dhunës së shtuar shumë ditët e fundit./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj