Vëllezërit shqiptarë shpërndajnë vullnetarisht bukë në shtëpitë e italianëve


Vëllezërit shqiptarë shpërndajnë vullnetarisht bukë në shtëpitë e italianëve

22:30 01/04/2020

Në një lidhje në Skype për programin “Rudina”, në TV Klan këtë pasdite ishin dy vëllezër shqiptarë në zonën Monterosso në Bergamo, të cilët kanë bërë një gjest humanitar. Bëhet fjalë për Mervin dhe Gazjon Skuqej, të cilët kanë një furrë buke dhe gjatë kësaj periudhe kanë shpërndarë vullnetarisht bukë në shtëpitë e italianëve, ndërsa prej dy javësh tashmë e kanë bërë bukën falas për njerëzit.

Me këtë gjest, furra e bukës së tyre ka treguar solidaritetin duke shkuar në çdo shtëpi për të lehtësuar sadopak peshën e kësaj pandemie.

Gazjon Skuqej: Realisht ne kemi kohë që kontribuojmë për zonën këtu dhe gëzojmë respektin e zonës se kemi shumë vite këtu. Shumë klienta i kemi të moshuar dhe klientët që i kemi të rinj janë duke qëndruar jashtë qytetit të Bergamos dhe nuk munden të vijnë dhe t’ju çojnë pazarin në shtëpi prindërve. Ne jemi munduar t’ju çojmë pazarin, çdo lloj familje që të rrinë sa më shumë brenda.

Rudina Magjistari: Pra e keni fjalën për pazarin në  përgjithësi dhe jo vetëm për bukën? I keni ndihmuar me pazarin?

Gazjon Skuqej: Në  përgjithësi me të gjitha produktet që kemi ne në dyqan këtu. Dhe bukën j’ua kemi çuar gjithë të moshuarve falas në shtëpi që të rrinë në shtëpi, që mos dalin se janë mosha më e rrezikuar. E kemi vendosur dhe në një letër tek dyqani, që qëndroni në shtëpi që të përfitoni bukën falas, që mos të dalin se është shumë problem kur dalin. Po ashtu edhe shpenzimet e tjera që çojmë në shtëpi i kanë falas.

Rudina Magjistari: Edhe bukën në dyqanin tuaj, këto ditët e fundit keni dhënë falas?

Gazjon Skuqej: Absolutisht po, të gjithëve./tvklan.al






Të ngjashme