Rexhep Mejdani, konferencë (26 Korrik 1999)
Në prag të Samitit të Sarajevës, Shqipëria duhet të ketë kushtetutën e saj ekonomike. Në Konferencën Shqipëria në procesin e integrimit Euro Atlantik, Presidenti Mejdani ka ngritur zërin ndaj ekzekutivit për hartimin e një strategjie të përcaktuar ekonomike.
Mejdani ka sugjeruar liberalizimin e tregjeve nëpërmjet uljes së tarifave doganore, hap që do të ndikonte në uljen e nivelit të korrupsionit dhe liberalizimin në licensat për ushtrimin e aktiviteteve tregtare dhe ekonomike.
Sipas tij duhet kryer me hapa më të shpejta privatizimi i ndërmarrjeve me më pak se 100 punëtorë, privatizimi i aeroporteve, i hidrocentraleve, bankave dhe i sektorit te sigurimeve. Integrimi i Shqipërisë dhe vendeve të tjera Ballkanike në Bashkimin Europian, sipas Presidentit Mejdani duhet të kalojë nëpërmjet krijimit të zonave të lira tregtare, bashkimit doganor, krijimit të një tregu të përbashkët dhe liberalizimit të vizave.
Në këtë konferencë kanë paraqitur pikëpamjet e tyre ekspertë financiarë vendas e të huaj, përfshirë edhe ish Ministrat e financave të disa qeverive shqiptare duke filluar nga viti 1991./tvklan.al
Gazetar: Vladimir Lame