Ndahet nga jeta aktori i humorit Gëzim Kruja
Dhuroi të qeshura për shqiptarët për 6 dekada
Pak muaj pasi i festuan 80 vjetorin e lindjes, të afërmit dhe miqtë duhet t’i japin lamtumirën e fundit Gëzim Krujës.
Humoristi shkodran u nda nga jeta pas problemeve shëndetësore që i vuante prej kohësh në heshtje, në pamundësi për të folur.
Ishte vetëm 13 vjeç kur u ngjit në skenë.
Ndonëse u diplomua në vitin 1979 në Institutin e Lartë Pedagogjik, dega e Gjuhës dhe Letërsisë në Shkodër, Gëzim Kruja kishte vendosur të hynte në shtëpitë e shqiptarëve për të dhuruar të qeshura për 6 dekada me radhë.
Aktori i njohur i dhuroi publikut mbi 15 komedi, 10 recitate, 2 libra me monologë gazmor, teksa interpretoi edhe mbi një mijë role në skeçe të ndryshme.
I vlerësuar me disa çmime, mes të cilëve “Krenari e Qytetit” të Shkodrës në vitin 2004, titull që u pasua me “Naim Frashëri i Artë” në 2005 dhe “Mjeshtër i Madh” në 2010, mjeshtëri e cila do të mbetet e memorizuar në humorin që Gëzim Kruja la pas.
Tv Klan