Nano me socialistët e Tiranës – (1 Shtator 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Në një shtëpi të thjeshtë Tiranase ku në kohën e luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare ra hero Qemal Stafa, ish-kryesocialisti Fatos Nano ka marrë sot bekimin e organizatës bazë për të marrë pjesë në konferencën e socialistëve tiranas më 2 Tetor. Nano ka bërë thirrje për demokratizimin e statutit, duke u bazuar në konceptet e gjithëpërfshirjes dhe qeverisjes lokale, të drejtës së propozimit dhe vendimmarrjes duke u nisur nga baza e partisë.
Socialisti Fatos Nano:- “Pse s’mblidhen organizatat? Këtu mesa duket nuk ka thjeshtë një problem vlerësimi, e vlerësoi Spartak Poçi apo Fatos Nano, apo kryesia e Tiranës, apo kryesia e madhe e bëri, s’e vlerësoi s’e bëri. Nuk ka një problem vetëm subjektiv, ka dhe një problem mesa duket mekanizmi politik, mekanizmi të aktivzimit dhe të vlerësimit si faktor vendimarrës të anëtarëve të partisë, të organizatave të partisë, që në fund të fundit na çon tek gjykimi sot ku mund të gjykojmë qetësisht çfarë ndryshimesh duhen bërë, që ju që jeni vendimarrësit e vërtet politik në Shqipëri në PS, të keni më shumë rol në marrjen e vendimeve reale, në zgjidhjen e problemeve reale dhe jo vëtëm në zgjedhjen e njerëzve që ju caktoni për të përfaqësuar qeverinë, ministrinë, policinë, gjykatën etj”.
Nano ka rifilluar kështu fushatën për rikthimin në krye të PS, ndërkohë që nesër pritet të takohet me socialistët e qytetit bregdetar të Durrësit./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame