Interpoli ngatërron identitetin e shqiptarit nga Kosova me një vrasës nga Shkodra
Emisioni “Stop” në Tv Klan ka trajtuar mbrëmjen e sotme historinë e një qytetari nga Kosovë. Bëhet fjalë për Hajdin Sadikun, i cili akuzohet nga Interpol Tirana për një vrasje të ndodhur në vitin 2001 në qytetin e Shkodrës.
Hajdin Sadiku jeton në Angli dhe para disa javësh, u arrestua nga policia angleze në bazë të urdhër-arrestit të dërguar nga Interpol Tirana.
Sipas informacioneve të emisionit, Hajdin Sadiku ngatërrohet me një person nga Shkodra, të quajtur Bib Nikja, dhe ky i fundit akuzohet për vrasjen e ndodhur në vitin 2001 në Shqipëri.
Enveri, vëllai i Hajdin Sadikut, thotë se është ngatërruar foto e autorit të vërtetë me të vëllait të tij.
Enver Sadiku: I jam drejtuar emisioni “Stop”, me informatat që kemi deri tani, vëllai është parë duke folur në telefon në një rrugë në qytetin ku jeton dhe e ka fotografuar. Sipas fotografisë, kjo foto është bërë nga djali i të vdekurit dhe dy dëshmitarë të tjerë e kanë identifikuar vëllain se ky është personi Bib Zef Nikja nga Shkodra. Ne jemi nga Kosova. Këta persona e kanë përcjellë vëllain, e kanë parë ku banon, me adresë të saktë, ja kanë dërguar Interpolit shqiptar apo shtetit shqiptar, nuk e di si janë këto punë. Edhe Prokuroria e Shqipërisë ja ka dorëzuar policisë së Anglisë përmes Interpolit. Edhe policia angleze ka shkuar ka burgosur vëllain me pretendimin se është Bib Zef Nikja.
Emisioni “Stop” ka mësuar se identitetet e dy personave nuk kanë lidhje fare me njëri-tjetrin. Datat e lindjes dhe gjeneralitetet nuk përputhen dhe çdo gjë duket kaq absurde. Për shkak të këtyre dyshimeve, gjykata angleze e liroi Hajdin Sadikun dhe e la në arrest shtëpie deri sa kjo situatë të sqarohet. Hajdini Sadiku thotë se është i gatshëm të bëjë analizën e ADN-së, te tregojë edhe dokumentet që provojnë se nuk ka qenë asnjëherë në Shqipëri.
Nga ana tjetër, drejtori i Interpol Tirana, nuk dha argumente për këtë paqartësi, por këshilloi që Hajdin Sadiku të marrë avokat dhe të bëjë analizën e ADN-së për ta paraqitur në gjyq në Angli.
Gazetari: Si jeni? Mirë? Nga Interpoli ëëë…
Drejtori, Interpol Tirana:Po!
Gazetari: Ka të bëjë me një person, i cili jeton në Angli, është nga Kosova. I kam gjithë të dhënat këtu.
Drejtori, Interpol Tirana: Po!
Gazetari: Ky akuzohet për një vrasje, që është bërë në 2001-shin në Shkodër.
Drejtori, Interpol Tirana: E di!
Gazetari: Ajo… edhe thotë nuk jam unë..
Drejtori, Interpol Tirana: Si mendon, se mund t’i çojmë letrat kot ne, përshembull?
Gazetari: Kot me çfarë kemi verifikuar. Ne pamë të gjithë këto të gjëndjes civile, pamë dhe të gjitha…
Drejtori, Interpol Tirana: Ëhë…
Gazetari: Nuk është ai. Ai është i gatshëm të bëjë dhe ADN-në. E kupton? Po i sigurtë, që është ai? Po them kot të flasim kështu.
Drejtori, Interpol Tirana: Mbi bazë materialesh. Asnjë gjë nuk shkooo, sepse shkoj unë në burg nëqoftëse nuk shkon…
Gazetari: E kuptoj!
Drejtori, Interpol Tirana: Ekstradimi, ose për personat në kërkim, janë shumë specifike. Gjërat mund të duken kështu…
Gazetari: E kuptoj ,e kuptoj!
Drejtori, Interpol Tirana: Sikur neee…,duket sikur ne shkojmë kështu, sikur merre, bjere, sille.
Gazetari: E kuptoj, e kuptoj! Mua, e di çfarë më intrigoi më shumë, se po flasim kështu? Më intrigoi më shumë ato siguracionet, që i kishte pasur nga 99-ta deri në 2001-shin, që kishte ndodh vrasja në Shkodër, ai figuronte në Angli.
Drejtori, Interpol Tirana: Janë disa prova të tjera, që, që….
Gazetari: Që e lidhin këtë? Ndoshta s’është ai dhe po i bien në qafë kot, ëë…?
Drejtori, Interpol Tirana: Ndoshta, po ne mbi bazë të materialeve, ee…
Gazetari: Nuk mund të shikohet proçedura, osee të bëhet një hap tjetër?
Drejtori, Interpol Tirana: Ai me një avokat të vetin, të kërkojë ADN-në edhe vetëm ajo e zgjidh, kjo është e vetmja zgjidhje.
Gazetari: Kjo është shpëtimi?
Drejtori, Interpol Tirana: Kjo është e vetmja zgjidhje, që mund të bëjë ai.
Gazetari: E kuptova!
Drejtori, Interpol Tirana: Domethënë, me anë të avokatit, avokati siç kërkon prokuroria, policia shqiptare, dokumentacion dhe avokati, ka të njëjtat të drejta, mund të shkojë të kërkojë ADN-në, të marri monstrat dhe gjykata Angleze është e pavarur, as nga ne…
Gazetari: E kuptoj,e pavarur…
Drejtori, Interpol Tirana: Mirë! Hajde mirupafshim!
Gazetari: Ok!, ok! Rrofsh ! Faleminderit shumë!
/tvklan.al