Rruga “Don Bosko” e prishur – (5 Shtator 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Rruga “Don Bosko” ka disa vjet që është lënë në mëshir të fatit. Edhe pse një firmë ndërtimi nisi të riparoj një pjesë të kësaj rruge shirat e dimrit të kaluar treguan se edhe aty ku u shtrua ai pak aspfalt, gropat u rishfaqën madje më të thella. Pjesa më e madhe e kësaj rruge nuk u asfaltua duke u bërë e pakalueshme për këmbësorët dhe makinat.
Kanalizimet e kësaj rruge lënë për të dëshiruar dhe në ditë shirash lumi Don Bosko arrin një metër thellësi. Në këtë rrugë grumbullohen edhe ujra që rrjedhin nga rrugë të tjera të Tiranës. Vendosja e tubacioneve aspak të përshtatshme vitin e kaluar dhe ndërrimi i tyre me një ngadalësi të admirueshme të kësaj vere, shërben si motiv që shtrimi i kësaj rruge ti mbetet viteve të ardhshme.
Plehrat dhe kioskat e prishura kanë mbushur dy anët e kësaj rruge ndërkohë që banorët e pallateve dhe shitësit e dyqaneve si dhe makinat me gëlqere kanë privatizuar ish trotuaret. E gjithë kjo gjendje e pakëndshme shfaqet çdo ditë në sytë indifferent të shtetarëve të cilët ndajnë paratë e tenderave me mashtruesit në të gjitha rrugët e prishura të kryeqytetit shqiptar./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame