Rikonstruktimi i shkollave në Tiranë – (7 Shtator 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Shkollat e natës rikthehen në Tiranë. Jo më për ata pa shkëputje nga puna por për nxënësit me shkëputje nga çdo e tillë. Rikonstruktimi i disa prej tyre sapo ka filluar, ndaj edhe sivjet do të kemi shkollë me turne. Dhjetë shkolla 8-vjeçare dhe të mesme të cilat kanë nisur rikonstruktimin një vit më parë, rrezikojnë të mos hapin të gjitha dyert për fillimin e vitit të ri shkollor për shkak të vonesave të kryerjes së punës.
Numri i nxënësve që pritet të rregjistrohen në të gjitha shkollat e Kryeqytetit shtohet me rreth 2500 nxënës të rinj, duke shtuar kështu edhe vështirësitë e shkollave të rregullta të cilat detyrohen të mbingarkohen nga numri i nxënësve dhe mësimi zhvillohet bashkarisht me dy shkolla.
Shkolla “Vasil Shanto”, shkolla “E Kuqe”, “Sabaudin Gabrani”, mbeten ende në fazën e ndërtimeve, ku në Kryeqytet numërohen 51 shkolla 8-vjeçare, 22 të mesme dhe parashikohen të ndërtohen dhe dy gjimnaze. Problemi qëndron në dhënien me vonesë të fondeve për rikonstruktimin e këtyre shkollave./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti