Debati në Parlament (9 Shtator 1999)
Është rindezur sot në Parlament debati politik mes opozitës dhe pozitës duke pasur si pikë referimi paktin e stabilitetit. Në përgjigje të kërkesës së demokratëve Kryeministri Majko ka deklaruar se ky pakt është një proces që në rastin e Shqipërisë kërkon një investim shumëvjeçar.
Majko ka ripërsëritur kërkesën për praninë e NATO-s në Rajon si garanci për paqen. Projektet e Qeverisë Shqiptare shtrihen në insfrastrukturë, telekomunikacion, energji e zhvillim të sektorit privat. Majko u bëri thirrje forcave politike parlamentare të përpilojnë një deklaratë politike të përbashkët në mbështetje të paktit të stabilitetit.
Lideri demokrat Berisha theksoi se rekorde të zeza si korrupsioni dhe krimi i organizuar po pengojnë zbatimin e paktit të stabilitetit, ndaj për eliminimin e tyre ai ka propozuar deklarimin e pasurive nga zyrtarët më të thjeshtë deri tek ata më të lartë.
Brenda dy javëve Berisha propozoi miratimin në Parlament të ligjit për konfiskimin e pronave të pushtetarëve. Majko i ka sugjeruar Berishës të dëshmojë në lidhje me këto fakte në organet e gjyqësorit. Nano ka kërkuar nga Qeveria program konkret reformash të thella ekonomike, mbështetje të iniciativës së lirë dhe jo përdorim të forcave speciale apo komando.
Nano sugjeroi ngritjen e tryezave të punës si dhe bëri thirrje për shuarjen e politikës konfliktuale dhe për të nënshkruar një dokument strategjik me konsensus politik real mes partive./tvkan.al
Gazetar: Vladimir Lame